Është një perceptim se më pak njerëz po qëndrojnë nëpër kafene, por këtë e konfirmon Petrit Kllokoqi, kryetar i Shoqatë së Gastronomëve të Kosovës.
Në një prononcim për Gazetën Express tregon se në këtë drejtim ka ndikuar inflacioni, por edhe masat anti-COVID, më herët.
Referuar këtyre faktorëve ka pasur ngritje të çmimeve të produkteve që ofrohen në gastronomi – kjo e ka pasuar uljen e kërkesës dhe më pak të hyra për këtë lloj biznesesh.
Kllokoqi e pranon që gjendja e tyre është e vështirë, duke e përmendur edhe ngritjen e çmimeve të karburanteve që e hynë në koston e përgjithshme të operimit biznesor.
“Natyrisht që ka ndikuar, edhe pse vetëm se kemi pasur probleme të tilla para rritjes enorme të inflacionit si pasojë e masave anticovid, tani e kemi për shkak të rritjes se çmimeve, 140 produkteve bazike të cilat derivojnë si pasojë e shtrenjëtimit të derivateve të natës përmes sektorit të furnizimit, e po ashtu edhe për shkak të prodhimit të limituar – gjë që është reflektuar nga ulja e konsumit dhe kujdesi ndaj produkteve që të mos dëmtohen – prandaj sot ka stok dukshëm më të limituar në të gjitha format e produkteve që prodhohen”, ka thënë ai.
Por ky nuk është problem i vetëm i gastronomisë në Kosovë – po përballen edhe me mungesë të fuqisë punëtore. Në këtë situatë, kryegastronomi thotë se disa biznese janë detyruar që të instalojnë praktikën e vetëshërbimit.
“Gjendja realisht është shumë e ndishme momentalisht, kemi rritje të formalizimit po jo të punësimit. Nëse para 10 vitesh kemi pasur kërkesë për vende te reja te punës, sot kemi rritje të kërkesës dita – ditës për punëtorë sepse nuk ka. Menaxhimi i fuqisë punëtore po duhet të behet në mënyrë vetanake sepse Qeveria nuk ka paraqitur një plan i cili krijon së pari qëndrueshmëri për bizneset – entitete në të cilat punësohen punonjësit“, ka thënë Kllokoqi.
E ka shpjeguar edhe rritjen e numrit të punëtorëve të formalizuar, duke thënë se nuk ka rritje të numrit të punëtorëve.
”Sot duhet te përmendim qe i kemi diku rreth 2000 biznese me pak që është shumë keq, ndërsa kemi nga 13.500 punëtorë te formalizuar sa i kishim para pandemisë – tani i kemi rreth 20.000 punëtorë, por këto shifra nuk e paraqesin realitetin e kaluar sa e paraqesin realitetin momental, pasi qartazi kemi shumë me pak punëtorë ne përgjithësi. Prandaj është paraqitur si nevojë ne plot lokale të gastronomisë – kthimi i shërbimeve te tyre ne vetëshërbim edhe pse personalisht jemi kundër kësaj ideje“, ka thënë ai. ”Momentalisht po ndikon shumë edhe migrimi i punëtoreve ne vendet perëndimore, ne pajtim me ligjin për migrimin e punëtoreve te sektorit privat dhe lehtësimit të procedurave për t’u pajisur me viza të punës – sidomos në Gjermani“.
Pagat në gastronomi janë ngritur
Kryetari i Shoqatës së Pavarur Sindikale të Kosovës, Jusuf Azemi, gjatë një prononcimi për Gazetën Express, më 14 nëntor, ka thënë se ka rritje pagash për punëtorët e sektorit të gastronomisë.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Kllokoqi, i cili rritjen e pagave e sheh në rrjedhën e ndryshimeve në treg, shkak edhe migrimit të të rinjve nga Kosova.
”Po është e vërtetë, si pasojë e përmbushjes së nevojave të cilat i kanë nga standardi i ri i krijuar jetësor – sot është normale sepse kërkesa për punëtorë është rritur tej mase, rrjedhimisht oferta e tyre është ulur dhe si pasojë pagat janë rritur“, ka thënë ai.
Gastronomia u godit shumë nga Coronavirusi
Gjatë fazës së pandemisë COVID-19, Qeveria e Kosovës me rekomandimet e Instituitt Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShPK), kishte masa kufizuese që më së shumti preknin gastronomisë.
Nga limiti në orar, kufizimet në tavoline e deri te ndalja e muzikës në një pjesë të natës.
Gastronomet ankoheshin se ajo fazë ”i ka plagosur“, madje paralajmëronin edhe falimentimin e plotë duke iu referuar situatës së krijuar.
Përkundër se Coronavirusi nuk ka mbaruar, më nuk ka kufizime për gastronominë dhe operojnë lirshëm, por tani përballen me situatën e inflacionit dhe mungesën e fuqisë punëtore si dhe uljen e kërkesës së konsumit.