Mashtrimi me shifra: Buka në Kosovë moti shitet 60 centë, veç ASK e ka ende 50 centë

Furrë e bukës

Qytetarët e Kosovës tash e sa muaj paguajnë më shtrenjtë për bukën që konsumojnë. Thuajse në çdo cep të vendit një bukë kushton 60 centë. Por, çmimin prej 50 centë nuk e ka ndryshuar kurrë Agjencia e Statistikave. Në publikimin e kësaj agjencie del çdo ditë se një bukë ende kushton 50 centë.

Rritjes enorme të çmimeve të artikujve ushqimorë në Kosovë nuk i ka shpëtuar as buka.

Në shumë qytete të vendit tonë, qytetarët tashmë për një bukë paguajnë 60 centë, nga 40 e 50 centë sa ishte më herët, shkruan Demokracia.com.

Reklama e sponzorizuar

Brenda këtij viti, çmimi i bukës është ngritur dy herë.

Mirëpo, këtë lëvizje të çmimit duket se nuk e ka vërejtur kurrë Agjencia e Statistikave të Kosovës, që merret me publikimin dhe monitorimin e artikujve që shiten në Kosovë.

Kjo agjenci nga fillimi i këtij viti e deri më tash, çmimin e një buke e publikon që po shitet me 50 centë.

E derisa ASK nuk e lëvizë çmimin, qytetarët në anën tjetër thonë se shtrenjtimi i bukës i ka prekur fort.

“Qytetarët e Kosovës duhet të hanë më pak bukë. Nuk është mirë që është ngrit çmimi i bukës, por qytetarë duhet të fillojnë të konsumojnë patate në vend të bukës”, thotë qytetari Petrit Veseli.

Kurse, qytetarja Valbona Hetemi, thotë se krahas ngritjes së çmimeve të tjera është e papërballueshme edhe ngritja e çmimit të bukës.

“Nuk ke si ta presësh mirë këtë, ka ngritje të çmimit në të gjithë artikujt jo vetëm te buka. Buka është produkt elementar dhe unë nuk e di si do të mund ta përballoj këtë ngritje të çmimeve. Nuk e di as vetë sesi do t’ia bëj. Këtu çdo ditë ka ngritje të çmimit të energjisë elektrike dhe të çdo artikulli”.

Ndërkaq, ekonomisti Safet Gërxhaliu, ka thënë se kriza në Kosovë nuk është pranuar si krizë që nga fillimi.

“Në këtë drejtim gabimi më i madh është që kriza nuk është pranuar si krizë në fillim, po të ishte pranuar si krizë ndoshta do të kishte alternativa për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset”.

Por, sipas tij, sot vërtet Kosova ballafaqohet me stagnim të zhvillimit ekonomik, por edhe me një shtrenjtim të jetës.

“E kemi parë se qytetari e ka kuptuar se jeta është e shtrenjtë, kemi një ngritje të pakontrolluar të çmimeve, jemi një shoqëri që jemi të varur nga importi dhe vetë fakti se në këtë drejtim importojmë inflacion në forma të ndryshme është problemi tjetër që e ka goditur Kosovën”.

Në muajt e fundit, çmimi i bukës është rritur disa herë. Që nga viti i kaluar deri më tani, çmimi i bukës është rritur për 20 centë.

Inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin gusht 2022, ka arritur në 13 për qind, ka treguar Agjencia e Statistikave të Kosovës. Kjo rritje e inflacionit përkthehet me rritjen enorme të çmimeve të shumë produkteve ushqimore në Kosovë këtë vit.