Afër 61 mijë persona kanë vizituar hotelet e Kosovës gjatë muajit gusht të këtij viti, shumica prej të cilëve janë shtetas të huaj.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi këtë të martë “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë për muajin gusht 2022”.
Pjesë e anketës thuhet se ishin 209 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
“Numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) në këtë muaj ishte 60 mijë e 952, prej tyre 29.50% ishin vendorë dhe 70.50% të jashtëm, ndërsa numri i net-qëndrimeve ishte 121 mijë e 478, prej tyre 32.13% nga vendorët dhe 67.87% nga të huajt”, thuhet në raportin e ASK-së.
Numrin më të madh të vizitorëve e kishte Rajoni i Prishtinës me 20 mijë e 548 vizitorë, ndërsa numrin më të madh të net-qëndrimeve e kishte rajoni i Pejës me 51 mijë e 270 net-qëndrimi.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Pejë, Prizren e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh ishte nga Gjermania, Shqipëri, Zvicra etj.