“Me tavan dhe pa tavan”, çmimet e produkteve themelore shkojnë në qiell

Siç po shihet në këto ditët e para pas miratimit të Ligjit për masat e përkohshme të produkteve themelore, efektet e tij janë fare të pavërejtshme. Ka gjasë madje që efektet e ligjit të jenë të kundërta me parashikimet dhe qëllimin e tij. Sepse, çmimet, sidomos të disa produkteve themelore ushqimore dhe sidomos të disa produkteve që janë vendore, që prodhohen në Kosovë, jo vetëm që nuk janë ndalur së ngrituri, por janë rritur në mënyrë të përshpejtuar, brenda ditës dhe ditëve qëkur është miratuar ligji i shumëpritur.

Buletini Ekonomik

Siç e kanë të ditur thuajse secili kosovar, ditë më parë, më saktësisht më 8 nëntor 2021, në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të Kuvendit të Kosovës, më në fund, pas një kohe bukur të gjatë, debateve jo të pakta dhe mendimeve të shumta pro dhe kundër, është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ndërsa, nga zyrtarët dhe autoritetet e vendit është thënë goxha me bindje se qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg dhe se i njëjti do të zbatohet ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomikë që tregtojnë produkte themelore në vend.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë kanë qenë edhe më konkretë duke thënë se “qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit”, përcjell Buletini Ekonomik.

Në bazë të draftit final të këtij Ligji të prezantuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, dhe të kontestuar goxha shumë nga ekonomistë, dhe sidomos nga opozitarët, produktet themelore në kuadër të këtij ligji parashihet të jenë: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie.

Ndër kosovarët e rëndomtë dhe ata të shtresave më të varfëra, ky Ligj i kontestuar jo pak , siç u tha nga ekonomistët dhe përfaqësuesit e opozitës në institucionet e vendit, ishte pranuar mirë dhe si shpresëdhënës edhe për faktin se në të përfshihen masat e përkohshme mbrojtëse që do të ndërmerren në raste të veçanta të destabilizimit në treg, shkaqet e caktimit të këtyre masave, mbikëqyrja për zbatimin e këtij ligji, si dhe sanksionet ndaj çdo shkelësi të këtyre masave që janë përfshirë në këtë ligj.

Mirëpo, siç po shihet në këto ditët e para pas miratimit të këtij Ligji, efektet e tij janë fare të pavërejtshme. Ka gjasë, madje efektet e ligjit të jenë të kundërta me parashikimet dhe qëllimin e tij. Sepse, çmimet, sidomos të disa produkteve themelore ushqimore dhe sidomos të disa produkteve që janë vendore, që prodhohen në Kosovë, jo vetëm që nuk janë ndalur së ngrituri, por janë rritur në mënyrë të përshpejtuar brenda ditës qëkur është miratuar ligji i shumëpritur. Dhe, po del se trendi i rritjes së madhe dhe të vrullshme të çmimeve në Kosovë “me tavan dhe pa tavan” edhe më tutje, praktikisht, nuk po ndalet. Në këtë mënyrë, nga ngritja e egër dhe e përditshme e çmimeve të të gjitha produkteve, por, gjithsesi, më së shumti nga ngritja e çmimeve të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën dhe që një familjeje i duhen përditë, tani, në fillim të nëntorit Kosova shquhet me çmime rekorde dhe ndjeshëm më të larta krahasuar me shtetet fqinje dhe të rajonit po se po, por edhe krahasuar me shumë shtete të Europës dhe të botës.

Duhet theksuar se tashmë çmimet e larta të shënuara më 2021 në Kosovë, që vlerësoheshin si rekorde, ose ndër më të lartat në dekadat e fundit, janë zbehur shumë, madje nuk kanë mbetur as për t’u përmendur krahasuar me çmimet e reja të ngritura në këta muajt e fundit të këtij viti. Thënë shkurt, edhe tani, në dhjetëditëshin e parë të nëntorit 2022, kur kemi të miratuar Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, trendi i ngritjes së çmimeve ka lëvizur hovshëm dhe frikshëm.

Nga dita në ditë kanë ndodhur dhe po ndodhin ngritje enorme çmimesh të shumë produkteve, e sidomos te ato esenciale ushqimore (buka, vaji, sheqeri dhe prodhimet nga qumështi-djathrat, jogurti etj). Sipas shumë fakteve, ato tashmë kanë tejkaluar çmimet e produkteve të shportës të shumë e shumë vendeve të Perëndimit. Sheqeri, vaji, qumështi etj, por edhe vezët, tashmë janë më shtrenjtë në Kosovë se sa bie fjala në Gjermani, në Zvicër, në Itali dhe në disa vende të tjera evropiane.

Sipas përditësimit më të fundit të çmimeve nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK) të produkteve bazike, vërehet se lëvizje e çmimit këto ditë është shënuar edhe tek sheqeri dhe vezët. Deri pak ditë më parë, 5 kilogramë sheqer janë tregtuar me 5.28 euro, ndërsa tani ky produkt esencial sipas ASK-së ka arritur çmimin në 5.90 euro. Po ashtu edhe vezët janë shtrenjtuar, duke arritur kështu në mbi 4 euro kompleti prej 30 copë vezësh. Nga 3.88 euro sa ka qenë kompleti një javë më parë, një komplet me vezë (30 copë) dje dhe sot është duke u tregtuar me çmim prej 4.01 euro, e në disa markete dhe supermarkete kompleti i vezëve tregtohet edhe përtej çmimit 4,5 eurosh.

Sipas ASK-së, edhe çmimi për dru zjarri (bungu), 1 metër kub ende tregtohet me çmim të shtrenjtë, 67.33 euro. Çmimet pra, vetëm sa janë ngritur te disa tregtarë, por me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura. Jogurti i VITA-s, i pranuar mirë ndër konsumatorët e vendit, sot në disa rrjete të supermarketeve të mëdha tregtohej me çmim shumë të ngritur – një litër 1,25 euro, për dallim të dy-tre ditëve më parë kur i njëjti produkt shitej me 1 euro dhe shumë – shumë 1,05 euro. Ndërsa në marketet më të vogla në kryeqytet, edhe sot ky jogurt tregtohet 1 euro litri. Kjo i bie, që pronarët e supermarketeve dhe megamarketeve nuk duan të “ndiejnë” për masat e Ligjit… Dhe, këtë ngritje çmimesh të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë mezi po e përmbyllin muajin me muaj.

Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasojë se në muajt e fundit të 2022-tës, familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë. Sepse, siç kanë llogaritur qartësisht njohësit e mirë të proceseve inflatore, 100 euro në shtator të vitit 2021 kanë pasur vlerë reale 90.74 euro, ndërsa në muajin shtator 2022- 100 euro kanë vlerë reale 80, 52 euro. Këto janë faktet. Dhe zyrtarët duhet t’i kenë parasysh këto fakte.

Por, shtrohet pyetja sa janë të preokupuar zyrtarët me këto fakte dhe me zbatimin e masave të përkohshme mbrojtëse në raste të veçanta të destabilizimit në treg të parapara edhe me Ligjin e miratuar këto ditë? Po duket qartazi në bazë të trendit të ngritjes së pandalshme të çmimeve, se masat e parapara nuk janë duke u zbatuar fare. Nuk po shihet gjëkundi nëpër ambientet tregtare ndonjë inspektim, as inspektorë që kanë dalur për të inspektuar zbatimin e masave. Nuk ka as të dhëna publike për ndëshkimet e ndonjë tregtari të pandërgjegjshëm dhe të “pa dëgjueshëm”, ndërsa siç po shihen çmimet e reja të ngritura, ata nuk janë të paktë as të instaluar vetëm në një qendër komunale. Gjithandej, nëpër qendrat komunale të Kosovës po vazhdon shpërthimi i egër i çmimeve pa e kthyer kokën kah masat e parapara nga Ligji. /Buletini Ekonomik/