Objektivi kryesor i institucioneve të vendit do të duhej të ishte ndërtimi, ose së paku nisja e ndërtimit të kapaciteteteve të reja elektroenergjetike, qoftë nga qymyri, qoftë sosh të rinovueshme dhe pastaj reduktimi i konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike.
Mehmet GJATA
Kosovës i duhet urgjentisht, apo sa më parë një kapacitet i ri për prodhimin e energjisë elektrike. Një termocentral, ose një e më shumë parqe të energjisë me erë dhe një e më shumë centrale solare, janë të domosdoshme t’i nisë së ndërtuari Kosova një orë e më parë, sot e këtu.
Një termocentral i ri me fuqi 400-500 megavatë-orë, ose disa kapacitete gjeneruese të energjisë së rinovueshme janë të domosdoshme për vendin, janë “bukë dhe ujë” për Kosovën, janë mundësi për të nisur zhvillimi ekonomik e shoqëror, janë siguria e shtetit, dhe perspektiva dhe ardhmëria e këtij vendi. Këtë fakt duhet ta kenë parasysh autoritetet vendimmarrëse të Kosovës. Gjithçka tjetër, qofshin edhe vendime me qëllime të mira, janë broçkulla, fjalë boshe. Broçkulla janë edhe parashikimet dhe njoftimet e ministres Artane Rizvanolliit, të bëra tashmë si ‘refren’ i saj dhe zyrtarëve të tjerë kompetentë për zhvillimet energjetike të Kosovës se “konsumatorët në Kosovë duhet të kontribuojnë në shmangien e skenarëve më të këqij të mungesës së energjisë, dhe se “objektivat kryesore të institucioneve të vendit përfshijnë reduktimin e konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike”.
Megjithë tingëllimin e këndshëm të fjalëve të ministres, kosovarët e dijnë fare mirë se në shmangien e skenarëve më të këqij të mungesës së energjisë, përveç konsumatorëve duhet të kontribuojë edhe më shumë shteti dhe zinxhiri i kompanive që përbëjnë sistemin elektroenergjetik të vendit. Në këtë kontekst, objektivi kryesor i institucioneve të vendit do të duhej të ishte ndërtimi, ose së paku nisja e ndërtimit të kapaciteteteve të reja elektroenergjetike, qoftë nga qymyri, qoftë sosh të rinovueshme dhe pastaj reduktimi i konsumit të përgjithshëm, përmes stimulimit të kursimit të energjisë dhe rritjes së efiçencës energjetike.
Thënë më saktë, Kosova kaherë ka nevojë imediate për të pasur kapacitete të reja prodhuese të energjisë elektrike. Një termocentral i ri, pra një kapacitet elektroenergjetik në bazë të qymyrit 400-500 megavatësh, është bërë domosdoshmëri, sidomos pas shfaqjes së krizës së ashpër elektroenergjetike në botë, që nuk e kurseu as vendin tonë, ose rindërtimi i tërësishëm i termocentraleve Kosova A (tri njësive të saj–A3, A4 dhe A5, siç ishte parashikuar para dy vjetësh, gjegjësisht qëkur nisi qeverisjen e vendit Qeveria Kurti 1).
Termocentrali i ri deri në 500 megavatë-orë i duhet Kosovës, dhe tani pas krizës globale energjetike dhe pas rikthimit të vëmendjes të shteteve të mëdha kah qymyri, nuk ka pse të hezitojë më Kosova, as të frikësohet nga një ndërmarrje aq e nevojshme për vendin. Më nuk është ndonjë “herezi” e tmerrshme rikthimi te qymyri askund në Europë as në botë. Kjo pasi kriza energjetike, praktikisht, ka kushtëzuar shumë shtete që të ndryshojnë qenësisht pikëpamjet anti-qymyr në favor të përdorimit të tij.
Në këtë kontekst, Kosova, insitucionet dhe autoritetet e saj duhet domosdo të shqyrtojnë shpejtë, madje urgjentisht edhe mundësinë e rindërtimit të tërësishëm të Kosovës A, të tri blloqeve të këtij termocentrali, me rindërtimin e të cilëve, natyrisht duke respektuar rigorozisht kriteret dhe standardet e mbrojtjes maksimale të ambientit, krijohen mundësi që me më pak investime dhe për më pak kohë të kemi kapacitete prodhuese që do të përmbushnin më shpejtë nevojat, qofshin edhe të shtuara, të konsumit të Kosovës.
Natyrisht, krahas një kapaciteti të ri elektroenergjetik, ose rindërtimit të termocentraleve të stërvjetruara të Kosovës A, vendimmarrësit duhet të vazhdojnë të preokupohen njësoj edhe për të shtuar kapacitetet e energjisë së rinovueshme, njësoj siç tashmë i kanë shpërfaqur synimet dhe vizionet edhe në Strategjinë energjetike 2022-2031. Por, kriza e egër elektroenergjetike, tashmë ka shtuar zërat ndër ekspertët, analistët dhe njohësit e zhvillimeve energjetike, që flasin në favor të ndërtimit, ose rivitalizimit rrënjësor të termocentraleve “Kosova A”, në vend të përcaktimit për të ndërtuar një termocentral fare të ri të kapacitetit rreth 500 megavatësh, për të plotësuar më shpejtë nevojat gjithnjë e në rritje të konsumit të Kosovës për energji elektrike.
Ekspertët, sidomos ata me përvojë të madhe në energjetikë, tani, pas dështimeve të njëpasnjëshme të nismave për të ndërtuar një termocentral të ri në Kosovë, flasin me bindje se ndërtimi i “Kosovës A” është zgjidhje e mirë. Ata nuk ngurrojnë fare të numrojnë një vistër arsyesh për të argumentuar tezat e tyre në favor të këtij rivitalizimi: “Bëhet shumë më shpejtë, me shumë më pak para dhe njësoj do të sigurohej mbrojtja e ambientit sikundër me një TC të ri dhe njësoj do të siguroheshin megavat-orët e energjisë elektrike, sa do të prodhonte i riu”.
“Kur në gjithë këto vite “Kosova A”, një termocentral i stërvjetruar, me stërzgjatje të afateve të prodhimit dhe i stërlodhur, ka mundur të sigurojë një të tretën e energjisë elektrike të nevojshme për konsumin aktual të Kosovës (33-34 për qind), në rast të rivitalizimit të tërësishëm, siç po synohet, ai do të arrinte 600 megavatëshin pa asnjë problem. Dhe kjo sasi e rrymës për 20 vjetët e ardhshme, sa do të shtohej jetëgjatësia e e njësive të rindërtuara, do të stabilizonte dukshëm, aq sa edhe një TC fare i ri, furnizimin e tregut të Kosovës me energji”, janë argumentet e ekspertëve që shprehen haptazi në favor të rindërtimit të Kosovës A.
Sipas tyre, me revitalizimin do të rritej siguria në punë, do të zvogëlohej maksimalisht ndotja e ambientit nga emetimi i gazrave dhe hirit, do të bëhej zvogëlimi i dukshëm i oksideve, azotit, sulfurit dhe dioksid karbonit (do të arrihej mbi 30 për qind dekarbonizimi) dhe do të sigurohej performancë me kapacitet të plotë të prodhimit (7 mijë orë punë në vit), do të shtohej pra, dukshëm efiçienca në blloqet A3, A4 dhe A5. Me revitalizim parashihet që sasia e hirit të zbret saktësisht në 20 mig/Nm3. Me rivitalizim do të mbeteshin të njëjtat vende të punës sikundër deri më tash (diku rreth 800 punëtorë) dhe për 3-4 vjet sa do të zgjaste e gjithë puna e rivitalizimit do të angazhohen edhe plus rreth 1,500 punëtorë të tjerë nga punëkryesit.
Sipas njohësve të zhvillimeve energjetike, puna për rindërtimin e një blloku të Kosovës A3 parashihet të zgjasë diku rreth 2 vjet, ndërsa për blloqet A4 dhe A5 diku nga 1,5 vjet, që do të thotë e tërë puna rreth rindërtimit do të zgjaste diku 4-4,5 vjet.
Sipas një studimi të vitit 2005, që ka qenë shumë i detajizuar dhe analitik, i paraparë për t’u financuar nga fonde të BE-së, atëherë ndërtimi i këtyre tre blloqeve në përmasa të këtilla, është llogaritur të kushtonte gjithsej rreth 200 milionë euro, ose ndërtimi i një njësie ishte paraparë të kushtojë rreth 60 milionë euro, plus investimet dhjetëra milionëshe që janë bërë për ndërrimin e elektrofiltrave, për sistemin e largimit të hirit, për blloktransformatorët dhe për kompresorët. Tani, hamendësohet se rivitalizimi kaq i detajuar, që do të thotë praktikisht rindërtimi i këtyre njësive prodhuese në Kosova A, për një njësi do të kushtonte diku rreth 70-80 milionë euro, që prap nuk tejkalon shumë 200 milionëshin. Por, natyrisht te çmimi ndikon edhe numri i ofertave të punëkryesve, pra ai varet nga gara e operatorëve të ndërtimit pas shprehjes së interesit të organeve vendimmarrëse (KEK-u dhe Qeveria e Kosovës) për këtë investim, që për rrethana kosovare është goxha kolosal. Dhe, duhet thënë se po të sheshohet seriozisht mundësia e realizimit të këtyre projekteve aq të nevojshme për funksionimin normal të shtetit tonë, do të bëhej fare e dukshme se Kosova dhe përkundër brishtësisë së saj dhe problemeve evidente të mungesës së parasë, ka pasur parakushtet për t’ia nisur ndërtimit të ndonjërit nga këto projekte.
Me fjalë të tjera, ka mundur edhe në rrethanat e krijuara nga post-Covid-i dhe nga kriza globale energjetike të bëjë shumë më shumë për të pasur, ose së paku për të nisur një projekt të ri elektroenergjetik, cilindo qoftë nga ato të sipërpërmendurat.
Qeveria aktuale me një vendosmëri më të madhe dhe me një përkushtim më serioz, gjithsesi, ka pasur të gjitha parakushtet për të nisur ndonjë kapacitet energjetik edhe nga burimet e rinovueshme, siç u proklamua në vazhdimësi në këtë periudhë. Për një kapacitet 100 megavatësh, ose edhe më shumë sosh, qoftë nga era, qoftë nga energjia solare, Kosova ka pasur të gjitha mundësitë vetjake që së paku ta nisë në këtë vit, e pse jo edhe ta finalizojë ndonjë projekt të energjisë solare, për çka parashihet më pak kohë për ta realizuar, por edhe me më pak mjete financiare se sa bie fjala një kapacitet me kapacitet përafërsisht të njëjtë me energji nga era.
Pa shumë kalkulime dhe fare lehtësisht ka mundur sivjet të realizohet, bie fjala propozimi nga ana e KEK-ut dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, për ndërtimin e një parku solar 100 megavatësh në një nga ish-deponitë e ‘Kosovës A’. Nga ekspertët e KEK-ut, vlerësohej se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të ishte gati, gjithsesi, brenda një viti. Prandaj, po të kishte më shumë vendosshmëri, vizione, projekte dhe nisma konkrete, mundësitë janë këtu. Mundësi ka, pra. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke tjera në Kosovë, të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin troll i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Edhe paratë, nëse do të mungonin, ka shumë rrethana favorizuese për t’i gjetur ato, për të gjetur investitorë potencialë dhe që nuk hamenden edhe aq shumë kur është fjala për kapacitete të energjisë së rinovueshme.
Dihet, Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar për dy-tre vjet e shumta, dhe me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar më pak mjete financiare se sa qeveria është duke dedikuar për zgjidhjet momentale të krizave energjetike, ose për blerjen e përkohëshme të energjisë së munguar elektrike. Ndërkohë, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u për tu ndërtuar në tokën djerrë (deponinë e madhe sa një kodër e tërë e krijuar nga hiri i qymyrit të djegur në termocentralet tona) me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), siç u tha më lartë, do të ndërtohej ndjeshëm me më pak para se kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës. Kështu, këto janë vetëm një nga mundësitë e shumta për investimet kapitale, edhe në Kosovën e varfër dhe me shumë brishtësi financiare.
Pse paraja e parashikuar për investime kapitale bie fjala, në buxhetin e sivjetshëm të Kosovës, e cila tashmë është shfrytëzuar vetëm 9 për qind, mos të investohet në pasjen e kapaciteteteve të reja elektroenergjetike, cilido qoftë ky kapacitet, qoftë nga era, me diell, ndërtimi i një termocentrali të ri, apo rindërtimi i tërësishëm i Kosovës A? Mjetet e parapara për investime kapitale do të ishin në bazë e mirë për të bërë punë të madhe në ndërtimin e një kapaciteti të ri energjetik. Ndoshta, me shfrytëzimin racional të këtyre mjeteve, ato edhe do të mjaftonin për të finalizuar tërësisht ndonjërin nga projektet e sipërpërmendura, për të cilat ka shumë nevojë Kosova. Kjo është llogaria. Të tjerat hesape, dalin dhe dëshmohen të gabuara.
Vendimmarrësit kosovarë, pra duhet të mos prajnë në anjë moment së kërkuari që të vazhdojnë të kenë një kapacitet të ri energjetik, qoftë edhe me thëngjill, edhe duke kërkuar me ngulm lëshime nga BE-ja, që ka synim të ditur botërisht që do ta reduktojë në maksimum ndotjen nga termocentralet prej thëngjillit. Fundja, kur shumë shtete të botës, që po gjejnë mënyra e rrugë për ta përdorur akoma thëngjillin si burim energjetik (sipas disa të dhënave afro gjysma e kapaciteteve energjetike të Gjermanisë është e bazuar në qymyr, Polonia poashtu ka shumë kapacitete akoma në bazë të qymyrit, Italia dhe Austria dhe të tjerë tashmë po i rikthehen qymyrit me shpejtësi), prandaj edhe Kosova duhet të gjejë këto mënyra, pasi që ka rezerva rekorde edhe karshi shteteve më të pasura me thëngjill. Prandaj, mbase është e nevojshme të pyesim më shumë vetveten për të vazhduar ose jo eksploatimin e këtij resursi kaq të madh zhvillimor. Ndryshe, nuk do të prajnë krizat energjetike te ne, as kërkesat për para të shumta nga prodhuesi, furnizuesi dhe shpërndarësi i rrymës dhe kushtimisht do të varfërohemi nga dita në ditë edhe energjetikisht.
Krejt në fund, po të llogariten të gjitha “injeksionet” financiare të Qeverisë për të zbutur sado pak pasojat e rënda të krizave të deritashme elektroenergjetike që përfshinë vendin tonë, del qartë se me ato mjete do të ndërtoheshin dy –tre kapacitete të energjisë së rinovueshme, do të rindërtohej gjithsesi Kosova A tërësisht, ose do të shkonte në gjysmën e punëve ndërtimi i një termocentrali fare të ri. Kjo, pra është llogaria, dhe ajo është më e mirë, gjithsesi, se kërkesat e vazhdueshme për të ngritur çmimet e rrymës në Kosovën me 13-14 miliardë rezerva të thëngjillit, ose për të aplikuar reduktimet trishtuese dhe të pamata të rrymës. /Buletini Ekonomik/