Patundshmëritë, sektori dominues i investimeve të huaja në Kosovë

Sektori i ndërtimtarisë

Pa tendencë për t’ua ulur në asnjë mënyrë rëndësinë dhe vlerën që e kanë për mirëqenien dhe zbutjen e ç’ekuilibrimit social, remitencat e rritura ndjeshëm dhe për mbajtjen e gjendjes disi stabile, sidomos të tregut të ndërtimeve dhe të paluajtshmërive të tjera, këto para, qofshin edhe të rritura kështu si janë, nuk kanë ndikim shumë të efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm, në rritjen e vendeve të punës dhe në proceset e tjera zhvillimore aq të nevojshme, sidomos për Kosovën.

Mehmet GJATA

Kosova ende nuk e ka gjetur çelësin për të investuar në kapacitetet gjeneruese të preferueshme dhe më të kërkuara ekonomike – paratë nga remitencat e shumta të mërgatës sonë. Edhe Shqipëria nuk është se ka ndjekur ndonjë rrugë më të mirë për investimin e kapitalit të diasporës. Kryesisht deri tani në Kosovë paratë e shumta të diasporës (vjet kaluan goxha shumë miliardëshin, e sivjet deri më fund të shtatorit remitencat arritën në 916.2 milionë euro, që i bie se diaspora ka dërguar 54.4 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar), janë investuar në paluajtshmëri. Edhe më konkretisht, në blerjen e banesave në ndërtesat shumëkatëshe që pas luftës mbinë në Kosovë, por edhe në Shqipëri si kërpudhat.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa këto para të investuara në ambiente banimi, ose edhe te ndonjë hapësirë për zhvillimin e ndonjë tregtie të vogël, siç dihet, nuk kanë shumë dorë, pra nuk e kanë ndikimin e efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të dy shteteve shqiptare, e sidomos të Kosovës. Pa tendencë për t’ua ulur në asnjë mënyrë rëndësinë dhe vlerën që e kanë për mirëqenien dhe zbutjen e ç’ekuilibrimit social, remitencat e rritura ndjeshëm dhe për mbajtjen e gjendjes disi stabile, sidomos të tregut të ndërtimeve dhe të paluajtshmërive të tjera, këto para, qofshin edhe të rritura kështu si janë, nuk ndikojnë efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të Kosovës, në rritjen e vendeve të punës dhe në proceset e tjera zhvillimore aq të nevojshme për Kosovën.

Në njëfarë mënyre përafërsisht ngjashëm tek IHD-të është gjendja edhe në Shqipëri, gjegjësisht ndryshojnë vetëm shifrat e këtyre investimeve, të cilat tek shqiptarët janë gati dyfish më të mëdha, sado që në Shqipëri investimet e diasporës rangohen pas investimeve në industrinë e nxjerrjes së naftës.

Sidoqoftë, çka thonë statistikat?

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë periudhës janar-korrik 2022, në Kosovë investimet e huaja kanë qenë 402 milionë e 900 mijë euro. Dhe, pjesa më e madhe e këtyre investimeve janë të përqëndruara në patundshmëri.

“Në periudhën janar-korrik 2022, vlera e IHD-ve në patundshmëri ishte 278.1 milionë euro“, thuhet në të dhënat e BQK-së.

Pak a shumë njësojë ka qenë struktura e investimeve të huaja edhe gjatë vitit 2021. Sipas vlerësimeve dhe përllogaritjeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e investimeve të huaja direkte vetëm deri në muajin shtator 2021, kishte arritur në 389 milionë euro, që janë goxha më shumë në krahasim me 254 milionë euro të regjistruar vitin e kaluar, pra deri në shtator 2020.

Kjo, sipas zyrtarëve të Kosovës është vlera më e lartë e investimeve në raport me mesataren e deritashme. Nga viti 2010 deri në vitin 2020, mesatarja e investimeve të huaja direkte për 6-mujorët e parë të viteve është 121.9 milionë euro, ndërsa në 6 muajt e parë të vitit 2021 janë 230.1 milionë euro, apo 89% ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme. I bie që gjatë vitit aktual ka 33% më shumë investime se viti i kaluar, ose 109% më shumë se në vitin 2019.

Këto shifra, sado të vogla që janë, nuk janë për t’u nënçmuar, por struktura e këtyre investimeve fletë se ato janë goxha specifike dhe kanë ndikim më shumë në tregun e ndërtimeve dhe pak a shumë në atë të paluajtshmërive të tjera.

Gjatë kësaj periudhe të 2021-shit, në Kosovë, rritjen më të lartë kishin shënuar IHD-të tek investimet në patundshmëri, të cilat arritën në 265 milionë euro (gjithsej investimet e huaja në periudhën janar-shtator-389 milionë euro), dhe që është më shumë se dyfishi në krahasim me 129 milionë euro të regjistruar si IHD në paluajtshmëri deri në fund të shtatorit 2020. Shprehur në përqindje, i bie kishte një rritje prej 106 për qind.

Ndërkohë, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Pasuritë e paluajtshme po bëhen dukshëm sektori dominues i investimeve të huaja edhe në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë të këtij viti investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën rekord të 83 milionë eurove, më e larta e regjistruar ndonjëherë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, investimet e huaja në prona janë rritur me 66%. Në të njëjtën linjë janë edhe shifrat progresive të 6-mujorit 2022. Investimet e huaja direkte në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 142 milionë eurove, në rritje me 77.5% krahasuar me 6-mujorin 2021.

Edhe 6-mujori përfaqëson vlerën më të lartë historike të investimeve të huaja direkte në këtë sektor. Por, për dallim nga Kosova, ku dominojnë blerjet e mërgatës kosovare (kryesisht shqiptarët e Kosovës), blerjet e shtetasve të huaj po bëhen një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri. Vitin e kaluar, siç raportojnë mediet shqiptare, transaksionet e blerësve të huaj përbënin rreth 21% të volumit zyrtar të tregut të pasurive të paluajtshme në Shqipëri, të matur nga INSTAT.

Për shkak të pozicionit të Shqipërisë, klimës, sistemit të favorshëm të taksimit në krahasim me vendet ku jetojnë, gjithnjë e më shumë shtetas të huaj po vendosin të investojnë në një pronë në Shqipëri, sidomos në zonat bregdetare, raportojnë mediet shqiptare.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet e huaja direkte në gjysmën e parë të vitit arritën një shifër rekord prej 634 milionë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e investimeve të huaja direkte deri në fund të qershorit të këtij viti paraqitet në rritje me 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se edhe më 2021, në nëntëmujor, patundshmëritë sollën fluksin më të madh të investimeve të huaja, me 61 milionë euro, 154% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për 9-mujorin e 2021-shit, investimet në këtë sektor kanë arritur vlerën e 141 milionë eurove, një rritje vjetore me 171%. Deri në shtatorin e vjetshëm, pasuritë e paluajtshme në Shqipëri ishin sektori i dytë për nga pesha e investimeve të huaja direkte, pas industrisë nxjerrëse. Në Shqipëri, siç duket, rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme duket se ka tërhequr jo vetëm investimet vendase, por edhe kapitalet e shtetasve të huaj. Sepse, shifrat tregojnë se investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme kanë arritur nivelet më të larta historike, të paktën që prej vitit 2014, kur nis seria kohore e Bankës së Shqipërisë për këtë tregues.

Ku po investohen remitancat në Kosovë?

Nga të dhënat e institucioneve të pavarura kompetente për vëzhgimin dhe përcjelljen e ecurive financiare në Kosovë, shihet se remitencat kanë prekur lartësitë e grafikoneve, dhe duke krahasuar ato ndër vite, dalin të jenë rekorde. Për prurjet e pandalura financiare të diasporës kosovare flasin edhe të dhënat e Bankës Botërore.

Sipas këtyre të dhënave në vitet pas pavarësisë, në Kosovë si remitenca janë dërguar 12.6 miliardë euro. Kjo është para e madhe. Është e vërtetë, se prurjet e financiare të diasporës kanë pasur ndikim të padiskutueshëm në mirëqenien e shumë e shumë kosovarëve, të rritjes së standardit të tyre dhe të zbutjes së gjendjes së rënduar sociale tek shumë e shumë të tjerë. Edhe sivjet shtuan shpresat se do të arrihet të zbuten dhe pak a shumë të kompenzohen dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga pasojat e pandemisë dhe masat kufizuese detyrimisht të ndërmarra për ta penguar përhapjen e CoVID 19 dhe për zbutjen e krizës sociale të shkaktuar, në ngitja e pandalshme e çmimeve. Por, këto efekte, nuk kanë qenë më shumë se kaq. Gjithë këto mjete financiare nuk kanë pasur efektshmërinë evidente në zhvillimin ekonomik, në ndërtimin e më shumë kapaciteteve industriale dhe përpunuese, që do të gjeneronin domosdo vende të reja pune dhe të mira të tjera zhvillimore. Këto janë fakte. Buletini Ekonomik në disa raste ka njoftuar për gatishmërinë e vendosmërinë e bashkëatdhetarëve tanë që u treguan të vendosur dhe të gatshëm për ta ndihmuar vendin.

Mirëpo, të gatshëm dhe me vullnet edhe politik duhet të tregohet edhe shteti i Kosovës, institucionet dhe autoritetet e tij për t’i trajtuar siç e meritojnë këto para. Kjo nënkupton që t’u ofrohen më shumë projekte joshëse dhe perspektivë mërgatës sonë për ta investuar paranë e tyre, të aplikohen të gjitha lehtësirat e mundshme për t’i investuar një pjesë të mirë të remitancave në kapacitete të efektshme dhe rezultative ekonomike. Dhe duhet të ndryshojë qasja institucionale e shprehjes së joshjes së diasporës për të investuar realisht në ndonjë kapacitet prodhues industrial apo bujqësor në vendlindje. Kjo nënkupton që në asnjë mënyrë mos të lihen jashtë rrjedhave të zhvillimeve ekonomike e shoqërore, të mos ketë anashkalime të bisnesmenëve nga diaspora, qoftë në procesin e privatizimit të aseteve të mbetura të Kosovës, qoftë në procesin e tenderimit të punëve të ndryshme, në procesin e prodhimit dhe në kryerjen e shërbimeve, për çka kompanitë e ndryshme të diasporës sonë po vlerësohen tashmë si shumë kompetente dhe profesioniste në vendet ku po afarojnë me bisneset e tyre.

Për secilin vizion a plan konkret për kapacitete të reja prodhuese e të shërbimeve, paraprakisht duhet të njoftohet deri në detaje diaspora jonë. Dhe të vlerësohen si të barabartë në garën eventuale konkurruese. Në këtë kontekst, të studiohen përvojat e mira të vendeve me diasporë të madhe numerikisht dhe pse jo, të mësohet nga këto përvoja. Ndryshe, remitencat do të investohen sikundër deri më tash në konsumin familjar dhe në përmirësimin e gjendjes sociale të familjeve kosovare dhe pa efekte të tjera të gjithë kësaj paraje./Buletini Ekonomik/