MIGRIMI, NJË NGA ARSYET PËR RRITJE TË PAPUNËSISË PËR 3% NË KOSOVË

Në Kosovë, muajt e fundit është rritur shkalla e papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në tremujorin e dytë të këtij viti shkalla e papunësisë ka arritur në 29.4 për qind, krahasuar me 26.5 për qind në tremujorin paraprak.

Në mesin e të papunëve është edhe Bleart Kukaj, student në Fakultetin Juridik. Ai nuk ka qenë i punësuar asnjëherë dhe nuk shpreson se pas përfundimit të studimeve të sigurojë ndonjë vend pune.

“Për të rinjtë nuk po shoh se ka ndonjë perspektivë në Kosovë. Edhe përfundimi i studimeve nuk siguron ndonjë vend pune. Unë jam shumë i zhgënjyer me institucionet e Kosovës sa pak po bëjnë për të krijuar mundësi për hapjen e vendeve të punës. Ne veç e përfundojmë fakultetin edhe mbesim në shtëpi”, tha Kukaj.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, ata pak persona që arrijnë të punësohen në institucionet publike bëhen pa meritë dhe pa plotësuar kriteret.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se rritja e shkallës se papunësisë për 3 përqind ka ardhur për shkak të mosrealizimit të projekteve kapitale dhe migrimi i të rinjve jashtë Kosovës.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kohëve të fundit të rinjtë të cilët po hyjnë në tregun e punës, po arrijnë të gjejnë vende pune, për një periudhë kohore në vendet e Evropës Perëndimore.

“Ajo që ka ndikuar në rritjen e shkallës se papunësisë është fakti se pjesa dërmuese e të rinjve që po hyjnë në tregun e punës po migrojnë legalisht, kryesisht në Gjermani, e cila është absorbuesi kryesor i të rinjve dhe profesionistëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor”, thotë Gashi duke shtuar se po mos të ndodhte largimi i të rinjve nga Kosova në shtetet perëndimore, shkalla e papunësisë do të ishte edhe rreth 20 për qind më e lartë.

Papunësia, sipas sociologëve është parë si shkaktari kryesor edhe i veprimeve tjera, qoftë i përfshirjes së qytetarëve në veprime jolegale apo edhe i largimit të tyre nga vendi.

Gjatë nëntorit 2014 – qershorit 2015, ishte shënuar një fluks i madh i largimit të qytetarëve të Kosovës për në vendet e Evropës Perëndimore. Arsyeja e largimit të këtyre banorëve nga Kosova ishte thënë të ishte papunësia dhe gjendja e rëndë ekonomike e tyre.

Ndryshe, faktor tjetër që ka ndikuar në rritjen e shkallës se papunësisë, sipas Gashit është edhe punësimi joformal në sektorë të ndryshëm.

“Sektorët ku punësimi joformal është më i pranishëm është ai i ndërtimtarisë dhe bujqësisë. Pjesa dërmuese e bizneseve nuk i deklarojnë të punësuarit, nuk paguajnë tatime në të ardhura dhe as kontribute pensionale”, tha Gashi.

Sipas anketës së publikuar nga Agjencia e Statistikave, e cila është realizuar me rreth 3,500 ekonomi familjare në gjithë territorin e Kosovës, thuhet se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune.

Papunësia më e theksuar paraqitet te femrat me 30.6 për qind krahasuar me meshkujt 29.1 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.0 për qind. /Evropa e Lirë