“Unë mendoj që biznesi e mban shtetin në këmbë”. Kjo shprehje merr kuptim atëherë kur biznesi gjeneron të ardhura dhe punësim.
Deri para një viti administratori i njërës prej fabrikave të tullave në Fushë Krujë thotë se rritja e kostove të prodhimit të tullave ka mbajtur larg blerësit.
Edhe pse në janar në 2022 fabrika e tij ka konsumuar më pak energji se janari i një viti të mëparshëm, rritja e çmimit të energjisë nga 11 lekë për kilovat në 18 lekë, ka bërë që Viktori të paguaj 38 milion lekë më tepër.
“Mjafton tu japë vetëm një fakt dhe marrim dy vite t’i krahasojmë. Në janar të 2021 fatura e dritave ka qenë 72 milion lekë të vjetra, në janar të 2022 fatura e dritave ka qenë 110 milion lekë të vjetra. Pra është një diferencë shumë e madhe ne na ka groposur”, tha Viktor Nikolli, administrator i fabrikës së tullave, për TCh.
Nëse për energjinë Viktori po paguan 40% më tepër, për naftën dhe qymyrin ai duhet të paguaj dyfishin. Këto shifra ndikuan që të ulej prodhimi, pasi prej një viti tregtarët nga Kosova nuk blejnë më tullat e prodhuara nga Shqipëria.
“Fakti tjetër është që Kosova nuk po tërheq asnjë tullë më. Kosova ka 40% në fabrikën tonë, 60% kemi tregun e brendshëm. Edhe ata prodhojnë tulla si ne, por më përpara ne kishim cilësinë dhe çmimin, tani mbas rritjes se lëndëve të para të prodhimit të tullës, sigurisht që ata kanë gjet treg në Serbi.”- tha Viktor Nikolli, administrator i fabrikës së tullave.
Para se të jetë shumë vonë, Viktori thotë se zgjidhja gjendet tek dashamirësia që qeveria ka ndaj biznesit.
”Për biznesin e madh ka mbi një vit qe na është thënë do dilni në treg të lirë, në këtë kohë krize duhet një çmim më i arsyeshëm se kaq.”- tha Viktor Nikolli, administrator i fabrikës së tullave.
Bilanci muajit tetor në këtë fabrikë tullash duhet të ishte mbyllur me 10 mijë 500 ton tulla të prodhuar, por kjo shifër u shënuar në vitin 2021, ndërsa në 2022 çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse ka bërë që për këtë muaj të mos prodhohet asnjë tullë, siç e shikoni furra është e fikur dhe në këtë gjendje është prej 5 muajsh. 70 punëtorët e kësaj fabrike duhet të ishin duke punuar për prodhimin e tullave, por sot ata janë duke mbledhur ullinjtë që janë në fabrikë. Nëse çmimi i energjisë elektrike nuk pëson rënie atëherë fabrika rrezikon të mbyllet, dhe punonjësit të largohen përgjithnjë nga Shqipëria.