Shefi i Binance kërkon rregulla të reja në industrinë e kriptovalutave

Shefi i bursës më të madhe në botë të kriptovalutave Binance, Changpeng Zhao u ka thënë udhëheqësve botërore se nevojiten rregulla të reja në këtë industri.

Zhao deri sa po fliste në një konferencë në Indonezi, ka njoftuar se kompania ka në plan ofrimin e një fondi për të ndihmuar ato biznese të kriptovalutave që kanë vështirësi financiare.

Kjo deklaratë vjen pas falimentimit të bursës FTX, i cili tronditi këtë industri dhe fshiu miliarda dollarë nga tregu i kriptovalutave.

Reklama e sponzorizuar

Dështimi i FTX, themeluar nga Sam Bankman-Fried, ka lënë shumë investitorë të vegjël të shqetësuar se do të përballen me humbje të mëdha.

 

“Ne jemi në një industri të re, kemi parë çfarë ndodhi javën e kaluar. Ne kemi nevojë për disa rregullore, ne duhet ta bëjmë këtë siç duhet, ne duhet ta bëjmë këtë në një mënyrë të qëndrueshme. Industria ka një rol për të mbrojtur konsumatorët, pra, nuk janë vetëm rregullatorët”, tha Zhao, i njohur si CZ.

Zhao tha se “Fondi i Rimëkëmbjes” janë ato asete që mund të konvertohen lehtësisht në para, për të mbuluar nevojat e menjëhershme të bizneseve e që do të zvogëlonte rrezikun e “efekteve negative të rënies”, pas falimentimit të FTX.