Pak ditë më parë, gjatë një videocall, në shkëmbimet e para të bisedave, ato që u kushtohen pyetjeve “si je” dhe “si shkojnë punët”, dikush më tha se dukesha i mendueshëm.
Dhe unë iu përgjigja: “Në të vërtetë isha vetëm shumë i përqendruar, diçka që nuk më ndodhte prej kohësh!”.
Në fakt, gjatë orëve para atij momenti, për shkak të një koniunkture të çuditshme astrale, kisha përjetuar një gjendje kujtese dhe një ndjesi përqendrimi të thellë mbi atë që po bëja, gjë që më befasoi vërtet, si për kënaqësinë dhe për rrallësinë me të cilën ndodh tani kjo gjë.
Po, është e vërtetë, duket se është bërë një lloj refreni, nga ata të mirët, për të ashtuquajturat muhabete në kafe: “Bëjmë shumë gjëra bashkë, lodhemi që të përqendrohemi, ndërpritemi vazhdimisht nga telefonata, email-e dhe njoftime, smartphone-t janë të parezistueshëm me gjithë tundimet e tyre, etj.”.
Ndoshta jemi edhe të lodhur me këtë lloj konsideratash, pasi i kemi thënë dhe dëgjuar kaq shpesh sa që i marrim për të mirëqena, por kjo në vetvete dëshmon të vërtetën thelbësore dhe rëndësinë e saj.
Në një broshurë të vogël, të titulluar “Shoqëria e lodhjes” (Sociedade do cansaço), filozofi korean, Byung Chul Han, i konsideruar si një nga më interesantët dhe më me ndikim të epokës bashkëkohore, reflekton në një kuptim më të gjerë mbi vlerën terapeutike të një lloji të caktuar lodhjeje.
Në libër, ai shtjellon dhe thellohet në shumë tema për të mbështetur tezën e tij dhe, ajo që më bëri veçanërisht përshtypje është kuptimi aktual i disa konsideratave të formuluara 10 vite më parë për një çështje specifike: atë të vëmendjes.
Ishte viti i largët 2012, kur u publikua libri, dhe nuk ishim pushtuar ende plotësisht nga prania thuajse gjithëpërfshirëse e smartphone në jetën tonë. Edhe në atë kohë ne e përjetonim një lloj multitasking në ditët tona (dhe jo vetëm), por kjo gjë nuk mund të krahasohet me atë çfarë ndodh sot.
E megjithatë, që në atë kohë, Byung Chul Han argumentonte se “teknika e kohës dhe e vëmendjes së quajtur multitasking” nuk ishte risi, por një modalitet mjaft i njohur në mbretërinë e kafshëve, në të cilën ekzemplari i vetëm detyrohet, për arsye të dukshme vetëmbrojtjeje dhe mbijetese, për të mbajtur një nivel sipërfaqësor, por të gjerë, të vëmendjes rreth tij, për të vëzhguar pasardhësit dhe për të zbuluar rreziqet e mundshme.
Për këtë arsye, Byung Chul Han e konsideronte regres, një hap pas, deri në atë masë që e ktheu qenien njerëzore në gjendjen e natyrës ose në një gjendje të orientuar drejt mbijetesës dhe jo jetës.
Ajo që ndoshta përjetojmë gjithnjë e më shpesh është fenomeni i “hipervëmendjes”, sipas një shprehjeje të përdorur nga vetë Byung Chul Han, ose më mirë një formë sipërfaqësore dhe e fragmentuar e vëmendjes që u kushtojmë njerëzve dhe gjërave me të cilat kemi të bëjmë.
Ndoshta duhet të fillojmë të pyesim veten me më shumë këmbëngulje – sa jemi me të vërtetë të vetëdijshëm? Nga se e kuptojmë?
Çfarë kostosh ka kjo gjendje? Çfarë mundësish po humbasim? Mbi të gjitha: a është një proces i pashmangshëm dhe i pakthyeshëm? Apo kemi një kufi për të korrigjuar? Dhe nga çfarë përbëhet saktësisht? Shpresoj që këto pyetje të jenë dobishme për të nxitur një proces vetëreflektimi që ne të gjithë me siguri po e bëjmë tashmë, pak a shumë, me vetëdije.
Ndërkohë, ne mund t’i sjellim këto konsiderata në realitetin e përditshëm të organizatave dhe në dy pika kryesore për kompanitë në këtë moment historik – njerëzit dhe inovacioni – dhe të vërejmë se si dy “kosto” të fshehura të hipervëmendjes bëhen menjëherë të dukshme.
Hipervëmendja ndikon negativisht në aftësinë tonë për të dëgjuar në mënyrë aktive dhe empatike, pasi kjo e fundit kërkon një ndjenjë pranie, përqendrim të thellë, zhytje në realitetin emocional dhe njohës të tjetrit.
Egoja hiperaktive dhe tepër e vëmendshme, siç përkufizohet nga Byung Chul Han, është e papajtueshme me dëgjimin e thellë dhe të ndërgjegjshëm. Pa dëgjim, thjesht nuk janë të mundura, marrëdhëniet e besimit, ose ato konstruktive dhe fitimprurëse.
Hipervëmendja ndikon gjithashtu në inovacionin (në të gjitha nivelet, nga individi i vetëm në të gjithë organizatën) në masën që redukton ndjeshëm tolerancën ndaj mërzisë dhe kjo e fundit përfaqëson një nga parakushtet themelore për procesin krijues.
Në këtë rast, Byung Chul Han përdor një imazh të thjeshtë, por efikas – ata që mërziten duke ecur dhe nuk e tolerojnë në asnjë mënyrë këtë ndjesi do të priren të shqetësohen dhe të identifikojnë si të vetmen rrugë shpëtimi – përshpejtimin, hapin e shpejtë dhe vrapimin.
Ata që e tolerojnë kushtin e mërzisë dhe e dinë se janë mërzitur nga e vetmja lëvizje në dispozicion, pra ecja, do të mund të identifikojnë më lehtë një lëvizje tjetër, një hap kërcimi, i cili, në mënyrë metaforike, përfaqëson të renë, të ndryshmen.
Me fjalë të tjera, furia dhe multitasking që rrjedhin nga imperativi i shpejtësisë, nga njëra anë, dhe pamundësia për të njohur dhe për të toleruar gjendjen e mërzisë, nga ana tjetër, nuk sjell asgjë të re, por riprodhon dhe përshpejton atë që tashmë është në dispozicion.
Pandemia dhe gjithçka që erdhën prej saj nuk kanë bërë gjë tjetër veçse i kanë përkeqësuar dy fenomene: ngjeshjen (e kohëve dhe emocioneve) dhe fragmentimin (aktivitetet dhe marrëdhëniet).
Është e nevojshme të zgjerohet dhe të rikompozohet dhe për ta bërë këtë është e nevojshme t’i shpëtojmë, të paktën pjesërisht, këtij mekanizmi të hiper-vëmendjes që na pengon të lidhemi vërtet me njëri-tjetrin dhe në kërkim të dy përbërësve të rinj, themelorë të procesit tonë evolutiv.