Albpetrol ka ofruar për eksplorim bllokun e naftës në Velçë, duke synuar lidhjen e Marrëveshjes Hidrokarbure me subjekte të interesuar. Hapja e garës bazohet në një urdhër e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balllukut, të muajit nëntor, ndërkohë që afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 15 mars 2023.
Për këtë bllok, në vitin 2017 u nënshkrua marrëveshja hidrokarbure 33-vjeçare me Pennine Petroleum Corporation.
Sipas dokumentit, 6 vjet do të ishin kërkim, 2 vjet vlerësim dhe 25 vjet prodhim, por mbetet e paqartë se përse marrëveshja hidrokarbure është prishur dhe Velça është rinxjerrë për eksplorim. Hapja e kësaj gare vjen thuajse në të njëjtën kohë me atë të Agjenicisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, që ofroi pak kohë më parë për eksplorim bllokun 5 në tokë.
Sipas kritereve të shpallura, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit do të jetë deri në 5 vjet, por në bazë të legjislacionit në fuqi, mund të zgjatet deri në 7 vjet.
Kontrata që do të nënshkruhet mes palëve do të jetë me ndarje prodhimi, që ndër të tjera parashikon detyrime për punësimin e banorëve të zonës. Më herët gjatë këtij viti u hap gara edhe për bllokun C, teksa kompania shqiptare Energy Development Group ishte e vetmja që shprehu interes.
Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore bëri me dije për TV SCAN se fillimisht kishte shfaqur interes edhe kompania ENI, por pasi u njoh me paketën e të dhënave, informoi se nuk do të merrte pjesë në aplikim. Gjithsesi, deri më tani nuk ka një informacion zyrtar për përfundimin e kësaj procedure./Scan tv/