Situata me rritjen e çmimeve po rendohet në Kosovë. Në prag të festave të fundivit disa artikuj veç janë shtrenjtuar. Rritje ekstreme të çmimit është vërejtur tek vezët, të cilat kanë shkuar në 4.49 euro.
Shtrenjtimi i vezëve në Kosovë nuk ka të ndalur. Rritja më e madhe e çmimit është vërejtur në ditët e fundit të këtij muaji.
Kjo rritje e çmimit duket se është bërë si “dhuratë” për qytetaret e Kosovës në prag të festave të fundivitit.
Një komplet me vezë nëpër markete në Prishtinë aktualisht po tregtohet me 4 euro e 49 centë, njëherit çmimi më i lartë i arritur për këtë produkt prej se ka filluar shtrenjtimi i çmimeve.
Sipas çmimores së Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm dy ditë më herët, një komplet me vezë është shitur për 4 euro e 29 centë.
Rritje e çmimit këtë javë është vërejtur edhe tek disa artikuj të tjerë, por sipas përditësimit më të fundit të çmimeve nga ASK-ja të produkteve bazike, vërehet se lëvizja më e madhe e çmimit këto ditë e është shënuar vetëm tek vezët.
Agjencia e Statistikave në publikimet mujore gjatë këtij viti çdo herë ka treguar se çmimet për produktet bazike ushqimore në Kosovë kanë shënuar rritje të madhe. Kurse, inflacioni ka shkuar në 14 për qind.
“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së, përcjell Demokracia.
Rritje të çmimeve kanë pësuar gati të gjitha produktet bazike, nga buka, vaji, sheqeri, mielli deri te pemët e perimet. Por, sa ishte inflacioni në 8 vitet e fundit?
Në vitin 2014, Inflacioni ( indeksi i çmimeve të konsumit) ishte 0, 4 për qind. Në vitin 2015, inflacioni ishte – 0, 4 për qind. Në vitin 2016 ishte 0, 3 për qind. Në vitin 2017 ishte 1, 5 për qind. Në vitin 2018 ishte 1.1 për qind. Në vitin 1019 ishte 2, 7 për qind. Në vitin 2020 kishte rënë në 0, 2 për qind. Në vitin 2021 ishte regjistruar në vlerë prej 3, 4 për qind.