Projeksionet e Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2022 sugjerojnë rritje reale ekonomike prej 2.9%. Ky parashikim bazohet në dinamikat që karakterizuan aktivitetin e përgjithshëm ekonomik gjatë periudhës janar-shtator, që vlerësohet të kenë vazhduar edhe në pjesën e mbetur të vitit 2022.
Sa i përket tremujorit të katërt, të dhënat e fundit në dispozicion tregojnë për rënie të importit të mallrave të konsumit dhe të kredive të reja konsumatore. Por, Banka Qendrore vëren se, fondet publike në kuadër të pakos për përballje me inflacionin, rritja e remitancave si dhe lehtësimi i çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare pritet të mbështesin konsumin.
Investimet pritet të ndikohen nga shkalla më e lartë e shpenzimeve kapitale në tremujorin e fundit të vitit, si dhe nga rritja e importit të mallrave kapitale në tetor, por këto efekte pritet të neutralizohen nga rënia e pritur e investimeve në sektorin e ndërtimit në tremujorin e fundit. Eksportet neto pritet të ndikojnë pozitivisht në rritjen ekonomike si rezultat i rënies së importit të mallrave dhe shërbimeve krahas rritjes së eksportit në të dy kategoritë.
Në Raportin e Vlerësimit të Ekonomisë të publikuar së fundmi, Banka Qendrore e Kosovës thekson se në tremujorin e tretë të vitit Prodhimi i Brendshëm Bruto regjistroi një rritje reale prej 2.07%. Kontribuesit më të mëdhenj kanë qenë kërkesa e brendshme, konsumi privat dhe ai publik. Gjithashtu, rritja reale e ekonomisë së Kosovës është mbështetur kryesisht nga rritja në sektorin e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit, aktiviteteve shkencore, profesionale dhe teknike, aktiviteteve të shërbimeve administrative dhe mbështetëse, informacionit dhe komunikimit, si dhe industrisë përpunuese.