Tashmë është mbyllur konkursi për Guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe gara për këtë pozitë duket të jetë interesante.
Buletini Ekonomik ka siguruar emrat e të gjithë kandidatëve në garë.
Katërshja e parë është në përbërje të Fehmi Mehmeti, guvenrantori aktual, Nexhat Kryeziu anëtar i Bordit aktualisht në BQK, Shkendije Himaj, po ashtu ish-punonjëse në BQK dhe Emanuel Bajra i cili jeton në Londër dhe aktiviteti i tij mbi 10 vite bankier në Londër.
Në garë janë edhe Mentor Nimani, Bezad Halilaj, Artan Ajazaj, Valdrin Krasniqi, Mentor Geci, Genc Rraci dhe Ardian Uka.
Ndryshe, BQK-ja, aktualisht udhëhiqet nga Guvernatori Fehmi Mehmeti. Këtij të fundit i skadon mandati në mars të vitit të ardhshëm. Emërimi i guvernatorit të ri do të jetë për një mandat pesëvjeçar duke filluar më 29 mars 2023 ose në datën e emërimit.
Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedhë më pas një individ. Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti/ja i/e Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84.27 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38.2 të Ligjit të BQK-së.
Në njoftimin e BQK-së, thuhet se konkursi është hapur bazuar në nenin 38 të Ligjit mbi Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.