Bashkimi Europian mbështeti Shqipërinë me 85 milionë euro në buxhet, si mbështetje direkte për energjinë, për t’u përdorur për importin e saj në të ardhmen. Ky ishte vetëm transhi i parë i ndihmës financiare nga BE, i deklaruar në samitin e kësaj të fundit me vendet e Ballkanit Perëndimor në takimin e Tiranës.
Televizioni shqiptar ka mësuar nga burimet zyrtare se, ka një paketë të dytë ndihmë që zhvillohet përmes fondeve të WBIF, ku secili nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të konkurrojë me projekte, që kanë të bëjnë me ngritjen e kapaciteteve të shtuara të energjisë të rinovueshme apo edhe me efiçiencën e energjisë.
Shqipëria, sipas të njëjtit burim, ka marrë pjesë në këtë konkurrim, me tre projekte kryesore.
Projekti i pare, që kërkon financim, ka lidhje me pajisjen e 25 mijë kabinave me matës inteligjentë, një projekt, realizimi i të cilit, do të bëjë uljen e humbjeve teknike në pjesën më të madhe të Shqipërisë. Shqipëria ka zhvilluar një tender pak kohë më parë për këtë projekt, me vlerën 8,6 milionë euro, por tenderi ka dështuar.
Projekti i dytë i rëndësishëm që kërkon financim dhe, për të cilin, qeveria shqiptare i ka kërkuar financim Bashkimit Europian, ka të bëjë me përdorimin e paneleve diellore dhe sidomos me rritjen e numrit të abonentëve që duan të kenë panele diellore për ngrohjen e ujit. Shqipëria ka hapur një procedurë elektronike për të aplikuar për këtë proces, ku kanë aplikuar një numër i konsiderueshëm familjesh, jashtë pritshmërive të qeverisë. Por, vetëm 2 mijë familje mund të financohen nga paratë e buxhetit.
Qeveria i ka kërkuar BE-së që të financojë jo më pak se 20 mijë abonentë dhe për të cilët financimi nuk është i mundur nga buxhetit i vitit 2023.
Projekti i tretë më i rëndësishëm i Qeverisë dhe që kërkon para nga fondet e BE-së është ndërtimi i një parku fotovoltaik prej 50 megavatorë në Belsh, në pronësi të KESH sha.
Për këtë park edhe projekti është gati, ndërsa financimi është praktikisht i pamundur nga kompania publike, për arsye të njohura.
Të tria projektet e mësipërme janë bërë pjesë e një pakete konkurruese për të thithur fonde të BE, në konkurrim me shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Europian akordoi në Samitin e Tiranës një paketë ndihme për energjinë me vlerë 1 miliard euro, për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor
Paketa, që është ndarë në dy nënpaketa, synon në adresimin e nevojave të menjëhershme, afatshkurtra dhe afatmesme, në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e krizës së vazhdueshme energjetike.
Me këtë mbështetje, Komisioni Europian synon të ndihmojë partnerët e Ballkanit Perëndimor që të ulin varësinë nga lëndët djegëse fosile ruse, dekarbonizimi dhe të përmirësojnë sigurinë energjetike. Pjesa e dytë e paketës prej 500 milionë eurosh do të ndahet në tre drejtime, 170 mln euro investime, 100 milionë euro për efiçiencën e energjisë dhe 230 milionë euro garanci për sektorin privat.
Në këtë të fundit, përfituesit do të jenë SME, të cilat do të mbështeten financiarisht nga BE për prodhimin e energjisë së pastër. /RTSH.al/









