Hapet sërish aplikimi për mbështetje të punësimit të grave

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar sot se ka hapur sërish aplikimin për masën mbështetëse në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, që është “Mbështetja e Punësimit të Grave”.

Sipas ministrisë, çdo biznes që hap vende të reja pune për vajza dhe gra, do të mbështetet deri në 50 për qind të pagës për tre muajt e parë.

Kushti kryesor për përfitim nga kjo masë, sipas MFPT-së është që personi që punësohet, të mos ketë qenë në marrëdhënie pune më herët. Ndërsa, afati i fundit për aplikim është data 15 prill 2023.

Reklama e sponzorizuar

“Pas suksesit të jashtëzakonshëm të masës 1.3 vitin që lamë pas, ku u punësuan afër 5 mijë gra e vajza, MFPT ka rihapur aplikimin për këtë masë. Çdo biznes që hap vende të reja pune për vajza e gra do të mbështetet me deri në 50% të pagës për 3 muajt e parë. Afati i fundit për të përfituar nga mbështetja është 15 prill 2023. Kusht për kualifikim është që personi që punësohet, të mos ketë qenë në marrëdhënie pune më herët. Aplikimi bëhet përmes shërbimit EDI të Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në njoftim.