Kosova, për shkak të mungesës së theksuar të alternativave energjetike, do të jetë e detyruar që edhe për një kohë të gjatë, energjinë bazë ta sigurojë nga thëngjilli, kurse energjia e ripërtëritshme do të ketë rol të rëndësishëm mbështetës në këtë sektor dhe të jetë një rezervë strategjike shumë e rëndësishme. ‘Kosova B’ duhet të rehabilitohet dhe të bëhet më miqësor me mjedisin dhe kogjenerimi të zgjerohet ende.
Buletini Ekonomik
Duke u përgjigjur në interesimin e Buletini Ekonomik se mos po anashkalohet paksa shpejt qymyri, resursi që Kosova e ka me bollëk falë rezervave kolosale dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, duke kthyer vëmendjen kryekëput te energjia e rinovueshme, Besfort Kosova, njohës i zhvillimeve në fushën e energjisë së gjelbërt dhe hulumtues në ‘Ballkan Green Foundation’, ka thënë se vendi ynë ka rezerva të jashtëzakonshme të thëngjillit që vlerësohen ekonomikisht të eksploatueshme afër 11 miliardë tonë, nga gjithsej 14 miliardë tonë, që ndodhen në dy bazene të mëdha thëngjill-mbajtëse, atë të fushës së Kosovës dhe të fushës së Dukagjinit.
Si rezultat i këtij potenciali dhe afërsisë me qendrat kryesore të popullsisë dhe të ndërmarrjeve ekonomike, janë ndërtuar termocentralet në fushën e Kosovës.
Këto centrale janë të stërvjetëruara, të mbishfrytëzuara, jo-efiçiente dhe shkaktojnë dëme të konsiderueshme mjedisore – por edhe ekonomike në mungesë të efiçiencës në operim, por edhe kanë kosto të mëdha shëndetësore dhe ndikojnë negativisht në produktivitetin e fuqisë punëtore, për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktojnë.
Kosova, si rezultat i këtij resursi dhe mungesës së theksuar të alternativave energjetike, si mungesa e rrjedhave të mëdha të ujit për hidrocentrale, sipas Befort Kosovës do të jetë e detyruar që për një kohë të gjatë, energjinë bazë ta marrë nga thëngjilli, kurse energjia e ripërtëritshme do të ketë rol të rëndësishëm mbështetës në këtë sektor, por edhe do të ofrojë mundësinë e të qenurit një rezervë strategjike shumë e rëndësishme.
Kështu, Termocentrali ‘Kosova B’ duhet të rehabilitohet dhe të bëhet më miqësor me mjedisin dhe kogjenerimi të zgjerohet ende. Ndërsa, sipas tij, duhet të hulumtohet dhe shfrytëzohet mundësia që energjia nga era dhe BRE-të, ta zëvendësojnë gjenerimin e energjisë nga ‘Kosova A’, e cila veçse është pranë fundit të jetës së saj operative/teknike.
Besfort Kosova në intervistën për Buletinin Ekonomik vlerëson se thëngjilli është problematik të ndiqet e të zhvillohet si resurs, sepse problematike janë mekanizmat e financimit, pasi mekanizmat e jashtëm finaciar për thëngjill janë thuajse in-ekzistent dhe kjo teknologji është shumë intenzive në aspektin financiar.
Lexo më shumë:
“Energjia me erë është potenciali më i rëndësishëm ekonomik që duhet ta shfrytëzojë Kosova”
Kurse, financat e brendshme janë thuajse të pamundura të sigurohen në kuadër të kësaj krize të madhe ekonomike, energjetike dhe sociale që po kalon vendi, me inflacion të madh, presione sociale e sindikale për rritje të rrogave, skemave socale e investimeve infrastrukturore. Ndërsa financimet e brendshme për projekte të tilla, mbartin gjithmonë edhe rrezikun e skandaleve të keqpërdorimeve dhe keq-planifikimeve, në të cilat kanë kaluar edhe shtetet më të zhvilluara se Kosova, kur kanë ndjekur projekte të tilla më vetë-financim, e ku kostot janë tejkaluar shumë herë nga kostot e parashikuara fillestare.
Mbi të gjitha, kostot në investime të tilla, edhe në thëngjill, do të reflektonin prapë se prapë në faturat e qytetarëve, sepse dikush do të duhet të paguajë për investime të tilla. Prandaj, zgjidhje të lehtë në një krizë të tillë energjetike nuk ka.
KEK-u prodhon energji të lirë, për vetë faktin se nuk është përfshirë çmimi i ndërtimit dhe i amortizimit në këto centrale të trashëguara. Problematike, sipas Besfort Kosovës, mbetet edhe zhvillimi i minierave, menaxhimi i tyre, shpronësimi dhe humbja masive e tokës, ndotja enorme e ajrit, ujit, tokës dhe kostot e mëdha shëndetësore për një rajon që ngërthen së paku 800,000 banorë.
Pastaj obligimet ndërkombëtare të Kosovës drejt ‘Traktatit të Komunitetit të Energjisë’, dekarbonizimit dhe tranzicionit të energjisë, nuk do të arriheshin dhe me këtë do të pamundësohej edhe integrimi evropian. E mos të flasim pastaj për çmimin e karbonit, që Kosova do të duhej të paguante në të ardhmen, duke i bërë investimet e tilla më pak atraktive për zhvillim, numron në vazhdim Besfort Kosova, problemet që do të dilnin nëse eventualisht do të ndiqej rruga e shfrytëzimit të thëngjillit si resurs energjetik.
Kështu, sipas Kosovës, premtuese dhe me potencialin më të madh mbesin padyshim era (së paku 1000 MW kapacitet i instaluar dhe gjenerim rreth 2000 GWh/vit – aq sa është prodhimi vjetor, mesatar i TC ‘Kosova A’), por edhe energjia diellore nuk duhet të nënvlerësohet. Ndërsa,thotë se duhet të eksplorohet më tepër energjia elektrike nga përdorimi i biomasës, përkatësisht biogazit, që shumë pak është hulumtuar dhe shfrytëzuar tek ne, ndërsa në vende si Gjermania, kjo përbënë një bazë të rëndësishme të gjenerimit të energjisë. /Buletini Ekonomik/











