KEDS çmon kontributin e “International Maarif Schools of Kosova” për projektin e kursimit të energjisë

KEDS priti në vizitë përfaqësues nga “International Maarif Schools of Kosova”, për t’i falënderuar për projektin vetëdijesues “Parandalojeni humbjen e energjisë elektrike për të ardhmen tuaj”, si përpjekje efektive për ta adresuar çështjen e kursimit të energjisë, në këtë kohë kur i gjithë vendi po përballet me krizë energjetike.

Në vizitën që personeli i kësaj shkolle, së bashku me katër nxënës, e bënë sot në KEDS, ata shpjeguan më në detaje idenë dhe qëllimin e këtij projekti, si dhe falënderuan KEDS për përkrahje në këtë iniciativë.

Drejtori i kësaj shkolle, Mustafa Yilmaz, u shpreh falënderues ndaj KEDS për njohjen e angazhimit të tyre, duke premtuar se projekte të tilla të kursimit, të cilat kanë qenë të iniciuara nga vetë nxënësit, nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

Reklama e sponzorizuar

Rudina Heroi-Puka, Drejtoreshë për Shërbim ndaj Konsumatorëve në KESCO, falënderoi nxënësit dhe shkollën për këtë iniciativë, duke thënë se në këtë kohë krize energjetike, kur çmimet e importit të energjisë vazhdimisht po rriten, çdo veprim i kursimit është shumë i rëndësishëm për t’ia lehtësuar barrën sistemit.

Edhe Rudin Lleshaj, Drejtor i Shërbimeve të Përbashkëta në kompani, i falënderoi të gjithë kontribut-dhënësit në këtë projekt, duke thënë se këtë shembull duhet ta ndjekin edhe shkollat e tjera.

KEDS është iniciues i vazhdueshëm i projekteve të kursimit të energjisë. Një ndër këto projekte është ai me shkolla fillore të Kosovës, ku nxënësit e klasave  IV dhe V po vazhdojnë të informohen më në detaje për mënyra praktike të kursimit, përmes broshurave të përgatitura për këto mosha, si dhe ligjëratave të mbajtura nga KEDS.

Si kompani mirëpresim të gjitha iniciativat që kanë për qëllim kursimin e energjisë elektrike dhe bëjmë thirrje të vazhdueshme për kursim të energjisë, si metoda më e lehtë dhe që mund të aplikohet nga të gjithë, për një sistem të qëndrueshëm elektroenergjetik.