Kthimi i borxhit nga Shqipëria mbanë stabilitetin elektroenergjetik në Kosovë

Nga Shqipëria janë duke u marrë si kthim borxhi diku rreth 150 megavatë-orë energji elektrike, herë paksa më shumë, herë më pak. Kjo i bie që brenda 24 orësh, sasia e energjisë elektrike nga Shqipëria e dedikuar për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, do të shkojë edhe mbi 3 mijë e sa megavatë-orë. KEK-u gjatë orëve të natës, përkatësisht nga ora 01:00 deri në orën 08:00 të mëngjesit, kur në Kosovë bie ndjeshëm konsumi i rrymës, po eksporton rreth 1 mijë megavatë-orë rrymë, edhe përkundër faktit se blloku A3 gjendet për disa ditë jashtë prodhimit.

Buletini Ekonomik

Kthimi i borxhit të energjisë elektrike nga Shqipëria tash e disa ditë me radhë, ka relaksuar goxha shumë zhvillimet energjetike në Kosovë, e veçmas ka krijuar njëfarë qetësie në mjediset dhe ambientet e termocentraleve të vendit dhe të mbarë sistemit elektroenergjetik të vendit.

Nga Shqipëria janë duke u marrë si kthim borxhi diku rreth 150 megavatë-orë energji elektrike, herë paksa më shumë, herë më pak. Kjo i bie që brenda 24 orësh sasia e energjisë elektrike nga Shqipëria, e dedikuar për sistemin elektroenergjetik të Kosovës, do të shkojë edhe mbi 3 mijë e sa megavatë-orë. Kjo sasi ka bërë që KEK-u për të pasur më të sigurta termocentralet e vjetra gjatë periudhës së acartë, të dërgojë në një rifreskim teknik bllokun A3 të Kosovës A, i cili ka kapacitet në rrjet diku rreth 130 megavatë-orë.

Reklama e sponzorizuar

Revizioni që në KEK po e quajnë “rifreskues’, sipas Skender Bucollit, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës, do të zgjatë fare shkurt, përkatësisht vetëm disa ditë. Dhe të gjitha operacionet rreth rifreskimit të këtij kapaciteti tashmë të stërvjetëruar, po i kryejnë punëtorët dhe inxhinierët vendorë.

Me fjalë të tjera, aktualisht në prodhim gjenden tri termocentrale të vendit (blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B dhe blloku A4 i Kosovës A), të cilat prodhojnë diku 730-750 megavatë-orë energji elektrike së bashku.

Siç dihet, blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B, që kanë bashkarisht kapacitet rreth 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e tyre është 520 megavatë, ose secili bllok, aktualisht prodhojnë rreth 260 megavat-orë. Ndërsa blloku A4 i termocentraleve Kosova A, kapacitetin në rrjet e ka rreth 130 megavatë-orë. Po të llogaritet gjithsej prodhimi aktual në këto tri njësi të prodhimit të energjisë elektrike nga termocentralet e vendit që janë funksionale, del që B1, B2 dhe A4-shi po prodhojnë bashkarisht diku rreth 730-750 megavatë-orë rrymë.

Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar plus një sasi simbolike, diku rreth 50-60 megavatë-orë, herë-herë edhe më shumë, të energjisë së rinovueshme që prodhohet në vend(nga hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Në raste, ose kur në zonat ku janë të instaluara impiantet e prodhimit të energjisë me erë (në Shalë të Bajgorës) dhe në Kitkë të Kamenicës) frynë më shumë erë, shtohen më shumë megavatët e prodhimit nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme.

Mirëpo, siç u tha më lartë, sasisë së rrymës së prodhuar në njësitë prodhuese të vendit, këtyre ditëve duhet shtuar edhe 150 megavatë-orë të energjisë nga Shqipëria, si kthim borxhi për sasinë e deponuar nga KEK-u në KESH, gjatë sezonit të verës, që tani po kthehet, duke i kontribuar ndjeshëm stabilitetit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës edhe në këto ditë me konsum të shtuar të rrymës dhe kur jashtë funksionit për ca ditë gjendet edhe blloku A3.

Nëse vazhdon të mos rritet vrullshëm konsumi i rrymës në vend, përkatësisht të mbahet niveli që ishte gjatë disa ditëve të fundit edhe me zbritjen e temperaturave, 950 – 1,000 megavatë-orë, sasia e energjisë elektrike që KEK-u po i ofron aktualisht KEDS-it, është përafërsisht e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit. Nevojat eventuale për konsumin e Kosovës përtej sasisë që ofron KEK-u, detyrimisht KEDS-i duhet t’i importojë nga jashtë.

Duhet theksuar gjithashtu se çmimi i energjisë së importuar, këto ditë ka filluar të ngritet vrullshëm, duke tejkaluar kështu në raste dhe 400-500 euro për megavatë. Prandaj, duhet bërë përpjekje të mëdha që këtyre ditëve në vazhdim të kemi stabilitet në sistemin elektroenergjetik të vendit, edhe nëse ndodhin temperatura shumë më të ulëta se sa ato të deritashmet.

Një mundësi e mirë për këtë, gjithsesi, do të jetë vazhdimi i kthimit të borxhit të energjisë elektrike nga Shqipëria me ritmin e këtyre ditëve. Shqipëria tani ka mundësi të mëdha për të prodhuar maksimalisht rrymë nga hidrocentralet e veta të shumta, sidomos nga ato të Kaskadës së Drinit, pasi që në saje të të reshurave të mëdha të shirave që po vazhdojnë edhe këtyre ditëve, akumulimet e ujërave në liqenet përkatëse të hidrocentraleve shqiptare janë përplotë ujë. Në këtë mënyrë, në Shqipëri janë krjijuar kushte të favorshme për të prodhuar më shumë rrymë, sasi kjo që është përtej nevojave të konsumit shqiptar. Siç po njoftojnë mediet shqiptare, KESH-i një sasi goxha të madhe të energjisë elektrike po e eksporton, ndërsa po ka rrymë edhe për të kthyer borxhin ndaj Kosovës.

Këtyre ditëve, gjatë orëve të natës, përkatësisht nga ora 01:00 deri në 08:00 të mëngjesit, një sasi goxha të shënueshme po e eksporton edhe KEK-u. Në këtë periudhë kohore, siç dihet, te ne bie shumë konsumi i rrymës, prandaj, tepricat po shiten në tregun ndërkombëtar të energjisë.

Sipas zëdhënësit të KEK-ut, Skender Bucollit, gjatë natës ndërmjet të hënës dhe së martës, gjatë orëve 01:00 deri në 08:00 të mëngjesit, KEK-u ka eksportuar rreth 1033 megavatë-orë energji, ndërsa gjatë natës, ndërmjet të martës dhe të mërkurës, në orët e njëjta, janë eksportuar diku mbi 900 megavatë. Kjo është situata aktuale elektroenergjetike në vend.

Mirëpo, duhet thënë se nëse vazhdon të rritet më shumë konsumi, siç pritet realisht të ndodhë me ardhjen e ditëve të acarta dhe të dimrit të vërtetë, do të ketë mungesë shumë më të madhe të rrymës.

Për shpërputhjen evidente dhe të madhe të prodhimit dhe konsumit që pritet të ndodhë në ditët me temeratura të ulëta, vazhdojnë të alarmojnë edhe autoritetet e Kosovës. Prandaj, KEDS-i, KOSTT-i dhe KEK-u nuk prajnë në vazhdimësi të bëjnë apele te konsumatorët që të kursejnë sa më shumë dhe gjithkund ku mund të kursehet rryma, të ulet konsumi i rrymës dhe prodhimin nga kapacitetet e vendit ta bëjmë sa më stabil.

Është mirë, gjithsesi, që në nëntor ka ndodhur ulja e konsumit të energjisë elektrike. Sipas ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë muajit nëntor te amvisëritë ka pasur ulje të konsumit prej 15 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

“Konsumi përgjatë këtij viti është ulur. Gjatë muajit nëntor, në amvisëritë është ulur konsumi për 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Po flasim për dhjetëra milionë kursime si pasojë e kësaj. Para rreth një muaji, është vlerësuar se gjatë muajit të dimrit duhet të importohet 20 për qind energji elektrike. 300 milionë euro na duhen për të tejkaluar dimrin. Por si pasojë e kursimeve, parashikimet kanë ndryshuar”, u shpreh Rizvanolli.

Sidoqoftë, kosovarët nuk kanë shumë alternativa në mungesë të rrymës së vet dhe nevojave për energji elektrike, që pritet të shtohen gjatë dhjetorit dhe janarit. Prandaj, kursimi i rrymës dhe ulja e shpenzimit janë kushtimisht të domosdoshme dhe alternativat që na presin sa i përket sigurimit të energjisë elektrike të munguar. Kosova nuk ka zgjidhje tjetër në ditët e akullta pos reduktimeve të kushtëzuara, kursimit të domosdoshëm të gjithsecilit konsumatorë, ose importit me kosto të lartë dhe thuaja të papërballueshëm për Kosovën e varfër dhe me mungesë parash. /Buletini Ekonomik/