Projektligji për Paga është miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës.
Qëllimi i këtij ligji është që të krijojë një sistem të njëtrajtshëm të pagave në sektorin publik, që përfshin parimet dhe rregullat për përcaktim të pagës në sektorin publik.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ishte i vetmi që abstenoi, ndërsa opozita nuk morri pjesë fare në votim pas vërejtjeve që i pati lidhur me koeficientin.
Deputeti i LVV-së, Halil Thaçi, pas votimit përmes një statusi në Facebook tha se Projektligji tashmë i miratuar hyn në fuqi në shkurt të 2023.
“Me 63 vota PRO kaluam Ligjin e Pagave për Zyrtarët Publikë në lexim të dytë. Ligji hynë në fuqi nga muaji shkurt”, ka shkruar deputeti i LVV-së.
Nga shoqëria civile thonë se mbetet problem mospërcaktimi i vlerës monetare të koeficientit.
Hulumtuesi nga KDI, Eugen Cakolli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ka gjasa reale që Ligji i Pagave të hyjë në fuqi në fillim të shkurtit të vitit 2023 duke pasur parasysh procedurat në për të cilat kalon ai.
Ai thotë se për dallim nga Projektligji i Pagave që ishte propozuar para tri viteve, është më i vështirë kontestimi i tij në Kushtetuese për shkak të mospërcatimit të vlerës monetare të koeficientit.
Cakolli thotë se megjithatë mospërcaktimi i vlerës monetare të koeficientit në këtë Ligj të Pagave mbetet problem.
“Mungesa e vlerës monetare të koeficientit, që përdoret si bazë për përllogaritjen e pagës, cenon parimin e parashikueshmërisë dhe sigurisë juridike që duhet të ofrojë ligji”, ka deklaruar Cakolli.
Por cilat janë procedurat e hyrjes së ndonjë ligji në fuqi pas miratimit të tij në Kuvendin e Kosovës.
Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet për shpallje Presidentit të Republikës së Kosovës, jo me herët se tetë (8) ditë nga dita e miratimit në Kuvend.
Në rast se ligji i miratuar nga Kuvendi kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje në pajtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Partia Demokratike e Kosovës, ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Pagat e Zyrtarëve Publik, të miratuar sot në Kuvendin e Kosovës.
Këtë e bëri të ditur kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një postim në llogarinë e tij në Facebook.
Sfidimi i Ligjit në Gjykatën Kushtetuese
Sipas nenit 113, paragrafi 5, të Kushtetutës së Kosovës, çdo ligj i miratuar nga Kuvendi i Kosovës mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.
Kjo mund të bëhet nga 10 apo më shumë deputetë, të cilët brenda një afati prej 8 ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.
Gjykata Kushtetuese mund të suspendoj përkohësisht ligjin e kontestuar derisa të marrë një vendim për të, nëse e vlerëson se aplikimi i ligjit mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.
Vendimi i Gjykatës Kushtetues është i detyrueshëm për Kuvendin e Kosovës, sikurse për institucionet tjera. Në rast se Gjykata Kushtetuese nxjerrë vendim për shfuqizimin e ligjit atëherë vendimi hynë në fuqi ditën e publikimit të tij, përveç në rast se është përcaktuar ndryshe. Vendimet e gjykatës publikohen edhe Gazetën Zyrtare.
Sfidimi i Ligjit nga Presidenti
Sipas nenit 80 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës, në afat prej tetë ditësh pasi të ketë marrë ligjin, kthen Ligjin e miratuar nga Kuvendi dhe nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit.
Nëse Presidenti e kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, ai duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit.
Ligji i kthyer nga Presidenti përfshihet pa vonesë në agjendën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, e cila ligjin ia dërgon menjëherë komisionit funksional raportues për shqyrtim.
Në këtë fazë komisioni funksional raportues ka në kompetencë të shqyrtojë vetëm çështjet që i përmban vendimi i Presidentit dhe brenda afatit prej dy javë pune ia paraqet raportin me rekomandime Kuvendit.
Komisioni funksional raportues pas shqyrtimit të vërejtjeve dhe arsyeve për kthimin e ligjit nga ana e Presidentit, në raportin me rekomandime për Kuvendin mund: të paraqesë rekomandimet dhe arsyetimet për ndryshimin e dispozitave të kontestuara nga Presidenti ose të paraqesë rekomandimet dhe arsyetimet për mos marrjen parasysh të vërejtjeve nga ana e Presidentit.
Kuvendi me shumicën e votave të të gjithë deputetëve mund të vendosë: për miratimin e rekomandimit të komisionit në lidhje me marrjen parasysh të vërejtjeve të Presidentit, ku me ndryshimet e miratuara, Ligji konsiderohet i shpallur – në rast të mos miratimit të rekomandimit të komisionit në lidhje me marrjen parasysh të vërejtjet e Presidentit, ligji mbetet ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur, dhe për miratimin e rekomandimit të Komisionit për mos marrjen parasysh të vërejtjeve nga ana e Presidentit.
Në këtë rast ligji mbetet po ashtu siç është miratuar më parë nga Kuvendi dhe konsiderohet i shpallur.
Shpallja e ligjit
Pas nënshkrimit nga Kryetari i Kuvendit, në afat prej 10 ditë pune nga dita e miratimit, ligji dërgohet për shpallje tek Presidenti i Republikës. Sipas nenit 80 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti, në afat prej 8 ditësh pasi ta ketë marrë ligjin, e shpall Ligjin të miratuar nga Kuvendi.
Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligjin përcaktohet ndryshe.
Koeficientet
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.
Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.
Koeficienti më i lartë, 18, sipas Projektligjit për pagat, i takon vetëm presidentit të Kosovës.
Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.
Për mjekët specialistë, koeficienti është 12.
Mësimdhënësit në shkolla fillore dhe ato të mesme të ulëta, do të kenë koeficientin 5.6./Telegrafi/