Për shkak të çmimeve të larta, rritet efiçienca energjetike në nivel global

Progresi global drejt eficiencës energjetike është përshpejtuar këtë vit si rezultat i çmimeve të larta të energjisë dhe ndërprerjeve të furnizimit me karburant.

Por, gjithsesi ende jo mjaftueshëm për të përmbushur objektivat e ndryshimeve klimatike, sipas deklaratës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.

Mbikëqyrësi me bazë në Paris i bëri apel qeverive që t’i japin përparësi përpjekjeve për të përmirësuar eficiencën e energjisë në ndërtesa dhe transport, pasi ambiciet për të reduktuar emetimet dhe për të frenuar temperaturat në rritje nuk mund të përmbushen duke u fokuzuar vetëm në prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Reklama e sponzorizuar

Në një deklaratë për media kreu i kësaj agjencie, Fatih Birol u shpreh se kriza e naftës në vitet 1970 shkaktoi një presion masiv nga ana e qeverive për eficiencën e energjisë. Kjo dha rezultat në përmirësime thelbësore në eficiencën energjetike të automjeteve, pajisjeve dhe ndërtesave.

Ai shtoi se në krizën aktuale energjetike po shihen sinjale se eficienca e energjisë është sërish një prioritet. Të dhënat paraprake tregojnë se investimet globale në eficiencën e energjisë si për shembull izolimi i ndërtesave, do të rriten me 16% – 560 miliard dollarë këtë vit.

Investimet kanë bërë që energjia të përdoret rreth 2% në mënyrë më efikase këtë vit në krahasim me një vit më parë, pothuajse dyfishi i normës së pesë viteve të fundit, por më pak se mesatarja 4% në vit. Kjo është dhe përqindja që duhet për këtë dekadë për të përmbushur objektivin e emetimeve zero deri në vitin 2050. /SCAN tv/