Rregullat bankare në Britani do të pësojnë ndryshimin më të madh në më shumë se 30 vjet

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar atë që e përshkruan si një nga rishikimet më të mëdha të rregullave financiare në më shumë se tre dekada.

Ajo ka thënë se paketa prej më shumë se 30 reformash do të “reduktojë burokracitë” dhe “do të nxisë rritjen ekonomike”.

Rregullat që i detyrojnë bankat të ndajnë ligjërisht bankingun për individë nga operacionet e investimeve me risk më të lartë do të rishikohen.

Reklama e sponzorizuar

Ato u prezantuan fillimisht pas krizës financiare të vitit 2008, kur disa banka u përballën me kolaps financiar.

Paketa e ndryshimeve, e njohur si “Reformat e Edinburgut”, po paraqitet si një shembull i lirisë post-Brexit për të përshtatur rregulloren në mënyrë specifike me nevojat dhe pikat e forta të ekonomisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Megjithatë, kritikët thonë se ajo rrezikon të lërë pas disa nga mësimet që erdhën si pasojë e krizës financiare.

Midis viteve 2007 dhe 2009, qeveria e atëhershme laburiste shpenzoi 137 miliardë paund në formën e parave publike për të shpëtuar bankat nga falimentimi.

Në përgjithësi, taksapaguesit kanë humbur 36.4 miliardë paund nga këto paketa, sipas vlerësimit të fundit nga Zyra për Përgjegjësinë Buxhetore.

Planet për lehtësimin e rregulloreve për shërbimet financiare po përshkruhen si një tjetër “Big Bang”, i cili i referohet derregullimit të shërbimeve financiare nga qeveria e Margaret Thatcher në vitin 1986.

Qeveria ka njoftuar tashmë se do të heqë kufirin ekzistues për bonuset që mund të marrin bankierët dhe do të lejojë kompanitë e sigurimeve që të investojnë në asete afatgjata, të tilla si banesat dhe centralet e erës, për të ndihmuar në rritjen e investimeve.

Rregullat që përcaktojnë mënyrën se si punësohen, monitorohen dhe sanksionohen drejtuesit e lartë të institucioneve financave do të rishikohen.

Do të ketë gjithashtu rregulla të reja rreth bashkimit të investimeve së bashku në njësi të tregtueshme – një proces i quajtur titullizimi.

Kancelari Jeremy Hunt tha se ndryshimet do të forconin “statusin e Mbretërisë së Bashkuar si një nga qendrat më të hapura, më dinamike dhe më konkurruese të shërbimeve financiare në botë”.

Reformat “vijnë si pasojë e lirive tona nga Brexit për të ofruar një regjim rregullator të shpejtë dhe që funksionon në interes të britanikëve dhe të bizneseve tona”. /BBC/