Rusinovci: Të subvencionohen ata që e meritojnë, fermeri që punon

Sektori i bujqësisë

Ministria e Bujqësisë pritet të ndajë rreth 65.5 milionë euro grante e subvencione për bujqit gjatë vitit të ardhshëm. Kjo shumë është aprovuar në ligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, që është miratuar në lexim të parë.

Ekspertë të bujqësisë thonë se rritja e buxhetit është për t’u përshëndetur, në kohën kur bujqit kanë nevojë për përkrahje, pasi janë rritur çmimet e inputeve bujqësore.

Rreth 87 milionë euro është buxheti i aprovuar për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i paraparë me projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2023, që është miratuar në lexim të parë. Pjesa më e madhe e këtij buxheti planifikohet të ndahet për bujqit.

Reklama e sponzorizuar

“Buxheti për vitin 2023 për grante dhe subvencione është 65 milionë e 477 mijë euro. Për vitin 2022, buxheti për grante dhe subvencione sipas Ligjit për ndarjet buxhetore, ka qenë 55 milionë e 577 mijë euro, ndërsa me vendim të Qeverisë janë shtuar edhe 18 milionë euro”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga MBPZHR. Tutje, nga kjo ministri tregojnë se, përveç skemës së granteve dhe pagesave direkte, janë planifikuar të ndahen edhe 3 milionë euro për dëmet natyrore në bujqësi, si dhe 2.6 milionë për ndërtimin e sistemeve të ujitjes.

Kostoja e punimit të tokës është rritur si pasojë e inflacionit të lartë që kanë pësuar farërat, plehrat artificialë dhe inputet e tjera bujqësore, thotë për Radio Kosovë Imer Rusinovci, profesor universitar i bujqësisë. Kur kjo është evidente, ngritja e buxhetit që do të ndahet për bujqit është për t’u përshëndetur, ndonëse rezultatet mbetet të shihen, thekson ai.

“Ngritja e buxhetit për grante e subvencione është për t’u përshëndetur, sepse të njëjtën gjë e bëjnë edhe Politikat e Përbashkëta Evropiane ose të ashtuquajturat KAP. Por, mbetet detyrë imediate e dikasterit përkatës që monitorimet të jenë shumë më strikte, përkatësisht prioritetet të shkoqiten konform meritokracisë për fermerin. Pra, të subvencionohet gjithmonë ngastra që punohet dhe fermeri që punon”, tha ai.

Profesor Rusinovci thotë se monitorimet për grantet dhe subvencionet që ndahen nga MBPZHR do të ndikonin në stabilitetin në bujqësi, rritjen e prodhimtarisë dhe rënien nivelit të importit që është shumë i lartë, sidomos për disa kultura që i bënë mirë toka e Kosovës. /Radio Kosova/