Kuvendi i Kosovës gjatë ditës së djeshme ka miratuar në lexim të dytë Projektbuxhetin për vitin fiskal 2023, në vlerë të gjithsej 3.21 miliardë eurove. Ky buxhet, ndër qeveritarë, po cilësohet si buxheti më i lartë ndonjëherë në historinë e vendit.
Por, si është bërë ndarja e mjeteve nëpër sektorët kryesorë?
Sipas Projektbuxhetit për vitin 2023, shumat më të larta në buxhet do t’i shkojnë sektorit të shëndetësisë dhe atij të sigurisë kombëtare. Sipas parashikimeve të Qeverisë, gjatë vitit 2023, sektori i shëndetësisë do t’i ketë në dispozicion gjithsej 300 milionë euro për investime e përmirësim të gjendjes në shëndetësinë publike. Buxhet i njëjtë i është ndarë edhe sektorit të sigurisë së vendit. Pra, gjithsej 300 milionë euro janë ndarë edhe për Ushtrinë e Kosovës.
Tutje, sektorët e tjerë në vend do të kenë më pak buxhet në dispozicion. Kështu, sektori i bujqësisë në vend do t’i përfitojë gjithsej 90 milionë euro buxhet gjatë vitit 2023, derisa 20 milionë tjera janë ndarë për sektorin e punësimit në vend. 60 milionë euro janë ndarë edhe për shtesat e fëmijëve dhe lehonave, që do të vazhdojnë edhe gjatë 2023-shit.
Pëprpos këtyre, Qeveria ka planifikuar edhe 15 milionë euro për rezervat shtetërore dhe 6 milionë euro për terminalet shtetërore, përcjell Buletini Ekonomik.
Gjithashtu, sipas parashikimeve të Qeverisë, me buxhetin e vitit 2023 do të ndërtohen gjithsej 11 çerdhe të reja publike, do të hapen gjithsej 300 pozita shtesë për policinë e Kosovës, si dhe do të angazhohen edhe 240 inspektorë të rinjë në vend.
Në komunikatën e lëshuar nga kryeministria mbrëmë, thuhet se “ky buxhet është më i lartë e më gjithpërfshirësi që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës dhe që si prioritete kryesore ka investimet në shëndetësi, arsim, punësim e siguri”. /Buletini Ekonomik/