Rama: Kemi tri opsione për tatimin në pronë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar tri rekomandime për shtyrjen dhe faljen e një vlere të tatimit në pronë.

Këto më pas, sipas tij, do t’i shkojnë për shqyrtim ministrisë së administrimit të pushtetit lokal dhe asaj të financave.

Reklama e sponzorizuar

Rama në rrjetin social Facebook ka shkruar se ka rekomanduar që vlerësimi i pronave të nisë në vitin 2024.

“Në lidhje me zbatimin e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave, sot, Kuvendit të Kryeqytetit në seancë të rregullt ia paraqita propozimin i cili i rekomandon Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, pikat si në vijim:

1. Mbledhja e tatimit në pronë sipas vlerësimit të ri të pronave të kryer nga Ministria e Financave të fillojë nga data 1 janar 2024, përmes ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Tatimin në Pronë.

2. Ndryshimi i Ligjit të Tatimit në Pronë sipas pikës 1 të këtij propozimi ia mundëson Kryeqytetit që gjatë vitit 2023 të faturojë dhe të mbledhë tatimin në pronë sipas vlerave të faturimit të vitit 2022.

3. E inkurajojmë Qeverinë e Kosovës që nga buxheti qendror të subvencionojë faturat e tatimit në pronë të vitit 2023, në vlerë deri në 100 eurot e para të faturimit.

I falënderoj anëtarët e Kuvendit të Kryeqytetit që votuan pro propozimeve të mësipërme, të cilat së shpejti do t’ia dërgojmë Ministrit të Financave, Kryeministrit dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Rama.