Zbret në 20.7% shkalla e papunësisë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2021.

Sipas rezultateve të AFP-së, në vitin 2021, shkalla e papunësisë është 20.7 për qind.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 25.0%, krahasuar me meshkujt, 19.0%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 38.0%.

Reklama e sponzorizuar

Sipas rezultateve të AFP-së, në vitin 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 60.7%, me fokus të veçantë te femrat me 78.0 %, krahasuar me meshkujt, 43.4%.

Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.  Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 39.3%.

Nërkaq, shkalla e punësimit për vitin 2021 është 31.3%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt 45.9%, ndërsa punësimi te femrat është 16.5%.

Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.8% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 41.8%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.8% duke vazhduar me ndërtimtarinë me 10.5%, prodhimin me 10.3% dhe arsimin me 10.1%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 43.5% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 56.5% kanë kontratë të përkohshme. /Buletini Ekonomik/