Zyra e Rregullatorit për Energji, njofton të gjitha palët e interesuara se ka vendosur në konsultim publik draftin e Bilancit Vjetor të Energjisë Elektrike për vitin 2023.
“Bilanci Vjetor i Energjisë Elektrike paraqet planin vjetor të shpenzimit të energjisë elektrike në raport me energjinë elektrike në dispozicion. Bilanci vjetor i energjisë elektrike bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë elektrike për vitin 2023, i cili është parashikuar të furnizohet nga gjenerimi vendor dhe importi i energjisë elektrike. Po ashtu në bilanc parashikohet edhe eksportimi i tepricave të energjisë elektrike”, thuhet në postimin e ZRRE në rrjete sociale.
ZRRE ka njoftuar se Bilanci është hartuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut KOSTT sh. a. në pajtim me Ligjin për Energjinë si dhe dokumentin Rregulla dhe metodologjia për përgatitjen e bilanceve tё energjisë elektrike.
“Kërkesa gjithsej pёr energji elektrike në Kosovë për vitin 2023 duke përfshirë edhe konsumin për furnizim të veriut të Kosovës, parashihet të jetë 7,513.8 GW”, thuhet në draft planin e publikuar nga ZRRE.
Sipas draftit të publikuar, konsumi i veriut të Kosovës, apo energjia që shpenzohet në katër komunat veriore të Kosovës, pritet të furnizohet nga KOSTT me buxhet jashtë tarifor.
ZRRE ka ftuar të gjithë të interesuarit të dorëzojnë komentet me shkrim rreth këtij dokumenti, deri më 16 dhjetor 2022.
Draftin e plotë të dokumentit mund ta lexoni duke klikuar këtu.