7 vende anëtare të BE kundër financimeve të reja – Brukseli kërkon reagim ndaj subvencioneve të SHBA

Planet e Komisionit Europian për të krijuar fonde të reja për industrinë e gjelbër po përballen me kundërshtime në rritje në bllokun prej 27 vendesh anëtare, pasi shtatë vende e hodhën poshtë hapur idenë në një letër drejtuar ekzekutivit të BE-së.

Letra, e parë nga agjencia e lajmeve Reuters, u nënshkrua nga Republika Çeke, Danimarka, Finlanda, Austria, Irlanda, Estonia dhe Sllovakia dhe iu drejtua zëvendëspresidentit të Komisionit Europian përgjegjës për tregtinë, Valdis Dombrovskis.

Gjermania, Holanda dhe Belgjika, megjithëse nuk janë nënshkruese të letrës, kundërshtojnë gjithashtu çdo huamarrje të re të përbashkët të BE-së, duke zgjeruar më tej listën e vendeve që mund të votojnë kundër planeve të tilla kur krerët e BE-së të takohen për t’i diskutuar ato në 9-10 shkurt. Të 10 vendet thonë se BE-ja duhet të përdorë fondet e miratuara tashmë në vend që të kërkojë më shumë para.

Reklama e sponzorizuar

Komisioni, përgjegjës për konkurrencën e ndershme në 27 vende të BE-së, beson se nevojiten fonde të reja për të barazuar aftësitë e vendeve më të varfra dhe më të pasura për të ndihmuar industritë e tyre të gjelbra kundër konkurrencës nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyrtarët e BE-së janë veçanërisht të shqetësuar se Akti i Reduktimit të Inflacionit të SHBA-së, i cili ofron 369 miliardë dollarë subvencione për firmat që prodhojnë automjete elektrike, bateri, turbina me erë ose hidrogjen në SHBA, do të joshë firmat e BE-së.

Lufta për të ruajtur pozicionin tërheqës të Europës për industrinë e gjelbër është bërë edhe më e vështirë nga çmimet e energjisë, të cilat janë shumë më të larta në BE sesa në SHBA, dhe nga proceset shpesh të gjata të BE-së për lejimin e investimeve të gjelbra.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen tha se BE-ja do të përgatisë një ligj për ta bërë më të lehtë jetën për industrinë e gjelbër dhe do ta mbështesë atë me ndihmën shtetërore dhe një Fond të Sovranitetit Europian.

Por në letrën e tyre, shtatë vendet thanë se BE-ja duhet së pari të shpenzojë paratë që tashmë kishte rënë dakord për të mbledhur përmes fondit prej 800 miliardë eurosh për rimëkëmbjen pas pandemisë dhe elasticitetit të granteve e kredive të lira./Scan tv/