Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas arrestimit të dy personave, të cilët dyshohet se kanë pranuar para në emër të zyrtarëve të një ministrie, duke premtuar ndikim për futjen e dy aplikuesve në listën e përfituesve të granteve.
Peci e ka përshëndetur këtë aksion të institucioneve të drejtësisë.
Ai ka falënderuar bujqit për bashkëpunim në ndarjen e informacioneve.
“E përshëndes veprimin e ndërmarrë nga organet e rendit dhe drejtësisë gjatë ditës së sotme në luftimin e dukurive negative. Mbetem i përkushtuar në luftën kundër tentativave të tilla, krimit dhe korrupsionit”, ka shkruar Peci në Facebook, të hënën.
“I falenderoj bujqit tanë për bashkëpunim dhe ndarje të informacioneve me ne dhe organet e rendit si dhe i inkurajojmë ata që edhe në të ardhmen t’i denoncojnë parregullsitë dhe tentativat e tilla negative”, ka thënë ai.
Sektori anti-korrupsion i Policisë së Kosovës arreston dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ”Ushtrim i ndikimit”
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit- Sektori i Hetimeve të Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës, me datë 16.01.2023, ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ”Ushtrim i ndikimit” neni 424 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me ç ‘rast dy persona të dyshuar janë arrestuar.
Dyshohet se të njëjtit kanë pranuar një shumë të parave në emër të zyrtarëve të një ministrie të RKS-së, me premtimin se do të ushtrojnë ndikimin për futjen e dy aplikuesve për grante në listën e përfituesve në atë ministri.
Lidhur me rastin dy personat e dyshuar janë arrestuar në flagrancë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të lartcekur, përderisa të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren me autorizimin e prokurorit kompetent.