Fondi Sovran do të veprojë si korporatë dhe me pavarësi të plotë operacionale nga Qeveria

Fondi Sovran do të jetë nën pronësinë e plotë të Republikës së Kosovës dhe i mbikëqyrur nga një bord profesional i emëruar nga Kuvendi.

Buletini Ekonomik

Koncept Dokumenti për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, që e ka punuar Grupi Punues, në krye të të cilit është Besnik Pula, profesor në Universitetin Virginia Tech në ShBA, njëkohësisht edhe këshilltar i kryeministrit Kurti për marrëdhënie ekonomike ndërkombëtare, parasheh që Fondi Sovran të veprojë si korporatë, pra një shoqëri aksionare, me ndërvarësi strategjike por pavarësi të plotë operacionale nga Qeveria. Ai do të jetë nën pronësinë e plotë të Republikës së Kosovës dhe i mbikëqyrur nga një bord profesional i emëruar nga Kuvendi.

Reklama e sponzorizuar

Sipas deklarimeve të Besnik Pulës dhënë në një intervistë për Buletinin Ekonomik, ky Fond, së pari adreson një problem fundamental në formën e organizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ky problem është mungesa e mekanizmit për shtetin e Kosovës që të luajë me efektivitet rolin e aksionarit.

Ndërmarrjet publike të Kosovës, veçanërisht ato të nivelit qendror dhe që kanë karakter komercial në aktivitetin e tyre (siç janë KEK-u, Telekomi, Posta, Trepça etj.), nominalisht punojnë dhe veprojnë si njësi të pavarura korporative. Ato, me një fjalë, sipas Besnik Pulës, janë firma që duhet të dëshmojnë sukses komercial në treg. Por, siç tha z. Pula, “në vend të këtij orientimi, kemi parë zhvillimin e një marrëdhënie patologjike midis aksionarit dhe ndërmarrjeve në fjalë. Kosova është pronare e ndërmarrjeve publike, por ato ndërmarrje sillen sikur janë pa pronarë. Kjo ka rezultuar drejtpërdrejtë jo vetëm në keqperformancë financiare, mungesë planifikimi strategjik, dështime komerciale dhe devalvim asetesh, por edhe në keqmenaxhimin, keqpërdorimin dhe shfrytëzimin e tyre në format nga më të paskrupulltat për përfitime personale nga klane të caktuara politike e para politike”.

Ndërkaq, ndërmarrjet i drejtohen shtetit vetëm kur janë buzë kolapsit, kur mungojnë mjetet për investime të punës bazike dhe sidomos kur arkat e tyre janë aq bosh sa që nuk mund t’i mbulojnë as rrogat e punëtorëve.

Pra, shteti i Kosovës nuk e ushtron funksionin e aksionarit, por thirret ta luaj rolin e kreditorit dhe subvencionuesit kujdestar sa herë ndërmarrjet i kanë punët keq. Kjo është marrëdhënia patologjike në fjalë. Kjo pastaj vazhdon ciklin e keqmenaxhimit, devalvimit dhe keqpërdorimit, ndërsa në vend të përfitimeve, për shtetin e Kosovës këto ndërmarrje janë barrë fiskale.

Fondi Sovran adreson këtë problem strukturor duke krijuar një entitet që nuk ka mandat tjetër përveç se të luajë rolin e aksionarit dhe të përfaqësojë direkt dhe pa ndërmjetësim interesin financiar të shtetit të Kosovës, ka thënë tutje në këtë intervistë Besnik Pula.

Pra, thotë ai “i shmangemi rolit të aksionarit pasiv, ndërsa nuk pritet që roli i aksionarit të luhet nga ndonjë zyrë në ndonjë ministri, as nga ndonjë ministër, të cilët në fund të fundit nuk mund ta kenë atë lloj mandati, sepse mandati i tyre është politik”.

Fondi do të jetë korporatë e specializuar financiare, e menaxhuar në formë profesionale, e cila do të ketë rol kryesor përfaqësimin dhe ndjekjen e këtij interesi financiar, në emër të shtetit, pra në emër të një interesi të përgjithshëm publik, për zhvillim ekonomik dhe për sigurimin e qëndrueshmërisë fiskale të shtetit. /Buletini Ekonomik/