Arrin rekord numri i bankierëve në BE që fitojnë mbi 1 milion euro pas Brexit

Numri i bankierëve dhe profesionistëve të investimeve në BE që fitojnë më shumë se 1 milion euro arriti një rekord në vitin 2021, pasi bankat e investimeve lulëzuan dhe Brexit bëri që një pjesë më e madhe e këtyre profesionistëve të zhvendosen drejt Europës kontinentale.

Sipas shifrave të publikuara të enjten nga Autoriteti Bankar Europian, lista e atyre që fitojnë më shumë u rrit me mbi 40 për qind, duke shkuar në plot 1,957 në vitin 2021. Ky është niveli më i lartë për BE-në, duke përjashtuar qytetin e Londrës, që kur Autoriteti Bankar Europian filloi mbledhjen e këtyre të dhënave në vitin 2010.

Kjo rritje nxjerr në pah një pasojë të Brexit, pasi bankierët me më shumë eksperiencë janë duke u zhvendosur nga Londra drejt qendrave financiare të BE-së.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo rritje lidhet me performancën e përgjithshme të mirë të institucioneve, veçanërisht në fushën e bankingut të investimeve, tregtisë dhe shitjeve, për shkak të zhvendosjeve të vazhdueshme të stafit nga Mbretëria e Bashkuar drejt BE-së dhe rritjes së përgjithshme të pagave,” tha Autoriteti Bankar Europian.

Italia, Franca dhe Spanja kishin pjesën më të madhe të kësaj rritjeje, me plot 70 për qind, por Gjermania mbetet shteti i BE-së me numrin më të madh të punonjësve të bankave që kanë të ardhura të larta, afërsisht 600 të tillë.

Të dhënat e Autoritetit Bankar Europian u mblodhën në gusht të vitit 2022, pasi shumica e bonuseve u shpërndanë midis periudhës prill-qershor.

Bankierët e investimeve ishin nëngrupi i vetëm më i madh, me pothuajse 750 profesionistë që fituan mbi 1 milionë euro në të gjithë BE-në. Bankieri më i paguar në BE, sipas Autoritetit Bankar Europian, ishte nga Spanja dhe fitoi diku te 14 deri në 15 milionë euro gjatë vitit 2021.

Mbretëria e Bashkuar ka qenë prej kohësh e shqetësuar se pasiguria pas daljes nga BE-ja mund të kishte një ndikim në sektorë kyç, ku përfshihen edhe shërbimet financiare.

Në mars të vitit 2021, Banka e Anglisë kërkoi që huadhënësit të duhej të merrnin një miratim përpara se të zhvendosnin vendet e punës ose operacionet e tyre nga Mbretëria e Bashkuar për në BE, në vijim të frikës se agjencitë rregullatore europiane po kërkonin zhvendosjen e një stafi më të madh sesa ishte realisht nevoja për qëllime të stabilitetit financiar pas Brexit.