E ardhmja e ATM-ve në epokën dixhitale

Dikur, për të kryer një veprim të thjeshtë bankar, për të tërhequr apo për të depozituar para në numrin e llogarisë, duhet të nxitoje për te punonjësja e sportelit në filialin më të afërt të bankës, të prisje e të nënshkruaje letra pas letrash, deri në kryerjen e veprimeve.

Sot, këtë proces, si dhe shumë procese të tjera që lidhen me bankën, e kryejnë makineritë e shpërndara me mijëra në çdo qendër të banuar e tregtare, madje me miliona në të gjithë botën.

Automated Teller Machine, pajisje që në komunikimin e përditshëm ne i njohim si ATM, ose bankomate, kanë tashmë një histori të vjetër.

Makina e parë automatike për kryerjen e pagesave, pa praninë e punonjësve, u prezantua për publikun në Enfield Town, në Londrën Veriore, më 27 qershor 1967, duke u vlerësuar realisht si një shpikje, pasi përmirësoi dhe zhvilloi më tej qasjen e bankës dhe institucioneve financiare pranë klientit, përdoruesit.

Ideatori i ATM-së së parë ishte skocezi John Shepherd-Barron, i cili punonte për kompaninë londineze De La Rue Instruments.

Makinat e para u “shërbenin” klientëve me kartëmonedha të prerjes dhjetë paund dhe punonin me çeqe speciale të disponueshme, ndërsa vite më vonë u vendos përdorimi i kodit numerik individual PIN, ide e inxhinierit anglez James Goodfellow, që lejonte verifikimin e identitetit të klientit.

Në Italinë tonë fqinje, këto pajisje filluan të instalohen në vitin 1976 në Cassa di Risparmio di Ferrara, ndërsa aktualisht janë në përdorim mbi 1 milionë e 700 mijë makina.

Në rast se në hapat e parë, këto pajisje lejonin dhënien e parave klientëve që kanë një llogari rrjedhëse në një sistem financiar kombëtar, shërbimi u shtri edhe në nivel ndërkombëtar, duke rritur cilësinë dhe gamën e shërbimeve, ofrimin e mundësisë për njohjen e gjendjes dhe lëvizjeve të llogarisë rrjedhëse, si dhe operacione të tjera.

Shërbimet që ofron sektori bankar ndryshojnë, shtohen e përmirësohen, të kushtëzuara edhe nga zhvillimi i ekonomisë dhe sistemit financiar, kontrolli ndaj informalitetit, etj.

Ndërsa ATM-të duket se nuk kanë “vrapuar” me të njëjtin ritëm, ato kanë pësuar shumë përditësime që nga dalja në skenë, por për t’iu përshtatur ritmit të epokës dixhitale, për t’u bërë më inteligjente dhe më ndërvepruese kanë nevojë për një “revolucion” të vërtetë.

Një faktor tjetër, i cili nxit nevojën për ndryshim, lidhet edhe me koston ekonomike që ka kjo makinë, sa i kushton bankës, institucionit financiar, mbajtja në gjendje operacionale, siguria, përgatitja dhe furnizimi me vlera monetare, rrjeti informatik, komunikimi, mirëmbajtja dhe sa përfitojnë ato prej saj. A mbeten këto në një balancë të arsyeshme ekonomike?

E ardhmja

Në të ardhmen duket se gjeneratat e ATM-ve të prodhuara do të kenë përmirësime të dukshme të teknologjisë, kjo e lidhur me shumë faktorë ku më kryesori mbetet qëllimi për reduktimin e parave fizike në qarkullim e si rrjedhojë, uljen e informalitetit, reduktimi i pranisë së klientëve në njësitë e biznesit, aplikimi i zhvillimeve dhe arritjeve informatike dixhitale, orientimi drejt pagesave pa kontakt, kryerja e veprimeve me kriptomonedhat, rritja e nivelit të sigurisë ndaj përdoruesve dhe transaksioneve që kryen, etj.

ATM-të inteligjente do t’u krijojnë mundësi konsumatorëve të kryejnë veprime të ngjashme me ato që ofrojnë njësitë e biznesit bankar, siç janë hapja e një llogarie, transferimi i fondeve, pagesa të ndryshme, rimbushja e kartave, blerja e biletave për evente sportive, argëtuese, rezervimi i fluturimeve, hapja e llogarive të reja të investimeve, veprime me kriptovalutat, duke e integruar klientin me teknologjinë dixhitale, e cila ofron zgjidhje më të shpejta dhe më të sigurta krahasuar me paraqitjen fizike në bankë dhe qëndrimin në sportel.

Këto aplikime do të shtojnë ndjeshëm edhe nivelin e sigurisë gjatë transaksioneve, duke ofruar teknologjinë biometrike, si dhe përdorimin e aplikacioneve celulare. Duhet kuptuar se ndërsa bankat dhe institucionet financiare vazhdojnë të transformohen dhe përshtaten me realitetin e ri dhe pritshmëritë e klientëve për të ardhmen, ATM-të, në stadin e tyre aktual, kanë ende një rol të rëndësishëm në realitetin financiar dhe atë të pagesave.

Teknologjia

Aplikimi i teknologjisë informatike “RealSense” e ndihmon klientin të mbrohet nga ekspozimi ndaj rrezikut, mashtrimeve të tipit Phishing. Nëpërmjet telekamerave inteligjente të instaluara, makina e njeh klientin që disponon një kartë/llogari bankare, duke e lejuar të kryejë veprime dhe duke e penguar atë në rastin e kundërt.

Sistemi funksionon si një faktor i dytë vërtetimi për transaksione të mëdha, mbi një limit të paracaktuar, ose si faktori i vetëm për transaksione me vlera më të vogla. Ky lloj vërtetimi biometrik mund të zëvendësojë në të ardhmen nevojën për t’u pajisur me një kartë debiti/krediti, duke eliminuar pasojat që ka disponimi dhe përdorimi fizik i saj.

Sondazhi i kryer para pandemisë Covid-19 gjeti komoditetin si arsyen kryesore, ndërsa periudha e gjatë e pandemisë evidentoi shqetësimet ndaj sigurisë, duke rritur më tej interesin për kryerjen e veprimeve pa karta. Teknologjitë e ATM-ve pa karta ndryshojnë sipas institucionit, në varësi të ndërthurjes, përfshirjes së epokës dixhitale në sistemin financiar të vendeve, si dhe edukimin, pranimin nga komuniteti përdorues.

Disa makina përdorin një skaner për të lexuar kodet unike QR, të tjera kërkojnë një kod verifikimi të dërguar me SMS, ndërsa më të sofistikuarit mund të vërtetojnë përdoruesit përmes veçorive të fytyrës, ose skanimit të pëllëmbës së dorës. Sipas gjigantit MasterCard, 78% e konsumatorëve synojnë të përdornin ATM-të pa kartë.

Në Europë, CaixaBank e Spanjës ka përdorur teknologjinë e njohjes së fytyrës, duke filluar nga viti 2019. Aftësia e vërtetimit biometrik i lejon konsumatorët të tërheqin para pa PIN, duke qenë kështu shumë të pranueshme nga klientët.

Përfshirja në mjedisin dixhital ka stimuluar në mbarë botën zhvillimin e projekteve të avancuara, ku veçohet edhe projekti ATMIA, Next Gen ATM, i nisur në fund të vitit 2018 dhe i materializuar, vetë certifikuar në vitin 2020. Misioni i projektit është të krijojë një model të ri aplikacioni API të ndërveprueshëm globalisht për ATM-të, bazuar në konsensusin e gjerë të prodhuesve dhe përdoruesve, duke përfshirë mbi 400 kompani në 55 vende.

ATM dhe kriptovalutat

Mbetet interesante “sjellja” e ATM lidhur me sektorin e kriptovalutave, parasë dixhitale të decentralizuar bazuar në teknologjinë “blockchain”, e cila është prezantuar në versionet e saj më të përhapura, Bitcoin dhe Ethereum. Futja në treg dhe avancimi i kriptomonedhës, si mjet pagese, nxori në skenë ATM-të e kriptomonedhave si mundësi për të shërbyer në hapësirën e monedhës dixhitale.

ATM-ja e parë bitcoin u instalua në vitin 2013, në një bar në Vankuver nga kompania Robocoin, e cila lejoi klientët të shkëmbenin bitcoin me para në dorë dhe anasjelltas, duke regjistruar vetëm në ditën e lançimit transaksione që arrinin vlerën 10,000 dollarë.

Të dhënat e platformës Crypto Parrot evidentojnë se në muajin janar 2022, numri i përgjithshëm i ATM-ve të kriptomonedhës të instaluara në Europë ishte rreth 1400 dhe referuar tendencës parashikimet tregojnë për instalimin në botë e të paktën rreth 50 makinave në ditë.

Shumica e tyre janë të instaluara në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa në rajonin tonë, instalimi i tyre është në sasi tepër të vogël, ato nuk janë zyrtarisht të pranishme në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri apo Malin e Zi.

Roli në rritje i kriptovalutave si forma të pagesës, ndikon në krijimin e një marrëdhënie të ndërsjellë dhe luan rol përcaktues në rritjen e instalimeve të ATM-ve të përshtatshme për këto veprime. Përdoruesit e kriptovalutave zgjedhin këto makina, pasi ato ofrojnë thjeshtësi dhe komoditet, veçanërisht për individët që nuk duan të përdorin shkëmbime në internet në blerjen e aktiveve dixhitale.

Zhvillimet e mëtejshme teknologjike do t’i transformojnë gjeneratat e ardhshme të ATM-ve në makina vetëshërbimi për të gjitha nevojat në fushën bankare dhe financiare të konsumatorëve.

Megjithatë, si në çdo fushë ku përdoren arritjet e reja të shkencës informatike, duhet kujdes pasi hakerat, mashtruesit inteligjentë, synojnë të gjejnë forma dhe mënyra të reja për grabitjen e informacionit konfidencial dhe parave edhe në këto makineri e sisteme, që duken tepër të sofistikuara.

MSC ROLAND TASHI, Ekspert i Çështjeve të Sigurisë-/Gazeta Monitor/