Në 14 vitet e fundit shumë ndërmarrje ekonomike nisën punën e shumë të tjera u shuan.
Sipas një raporti te Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që nga viti 2009 e deri në vitin 2022 ndërprenë veprimtarinë e tyre gjithsej 21,428 biznese.
Më 2011, sipas regjistrimeve janë shuar gjithsej 924 ndërmarrje ekonomike, shifër kjo më e ulëta krahasuar me 13 vitet e tjera të kësaj periudhe.
Ndërsa, 2016-ta shënon vitin ku u shuan më së shumti biznese, 2.376 në total.
Mirëpo, përveç këtij procesi, ndër vite mbi 132.000 ndërmarrje ekonomike filluan punën.
Më së shumti regjistrime të bizneseve pati në vitin 2022 ku mbi 11 mijë nisën funksionimin e tyre.
Ndërsa, viti 2009 ishte viti me më së paku ndërmarrje të regjistruara, rreth 7500 në tërësi.
Shikuar vetëm periudhën tremujore të fundit të vitit që lamë pas, atij 2022, sipas aktiviteteve ekonomike më së shumti seksione të veprimtarive gjatë vitit 2022 kishte fusha e tregtisë me 645 ndërmarrje, ndërsa më së paku interesim kishte për Administratën Publike dhe Mbrojtjen me vetëm 6 ndermarrje të regjistruara.
Edhe më tutje, vazhdojnë të udhëheqin ndërmarrjet të cilat si pronar kanë meshkujt, ku si përqindje e regjistruar arrinë vlerën e 73.2% në statistikat e këtij tremujori. Ndërsa, ndërmarrjet me pronare vajza e gra janë 21.3%.
Gjatë tetorit, nëntorit e dhjetorit të vitit 2022, numri më i madh i bizneseve u regjistruan në Prishtinë, plot 809.
Kurse në Partesh e Leposaviq nuk kishte asnjë biznes të regjistruar gjatë kësaj kohe.