BQE do të rrisë normën e depozitave në 3.25% deri në mes të vitit

Banka Qendrore Europiane do të ndërmarrë një rritje të normave të interesit me 50 pikë bazë në secilin prej dy takimeve të saj të ardhshme, sipas ekonomistëve të anketuar nga Reuters.

Megjithatë, parashikimet e tyre vazhdojnë të mbeten më të vogla sesa udhëzimet e politikëbërësve lidhur me nivelin e lartë që do të arrijnë normat.

Përcaktuesit e normës nuk kanë arritur të bindin tregjet lidhur me angazhimin e tyre për të vazhduar me rritjen e kostove të huamarrjes në mënyrë që të frenojnë inflacionin, siç duket nga rezultatet e sondazhit, i cili tregoi se banka qendrore do të ndalonte me rritjet e saj kur norma e depozitave të arrijë në 3.25% gjatë tremujorit të ardhshëm.

Reklama e sponzorizuar

Gjetjet e fundit të sondazhit vijnë pavarësisht faktit se presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, u tha investitorëve në Davos javën e kaluar se ata duhet të “rishikojnë pozicionet e tyre”, duke shtuar kështu rëndësinë e komenteve të mëparshme të bëra nga politikëbërësit holandezë dhe letonezë.

Edhe pse banka qendrore e eurozonës ka rritur normat me ritmin më të shpejtë në historinë e saj, ajo deri më tani nuk ka arritur që ta sjellë inflacionin pranë objektivit prej 2%. Çmimet u rritën me 9.2% në dhjetor krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara javën e kaluar.

Lagarde dhe Këshilli Drejtues i bankës do ta çojnë normën e depozitave në 2.50% më 2 shkurt, thanë 55 nga 59 ekonomistët e anketuar në sondazhin e kryer midis periudhës 13-20 janar. Ata me shumë mundësi do të ndërmarrin një rritje tjetër prej 50 pikësh bazë në mars.

Banka qendrore më pas do të ndërmarrë edhe një rritje prej 25 pikësh bazë në tremujorin e ardhshëm, përpara se të ndalojë, duke arritur kështu një normë terminale në ciklin aktual prej 3.25%, më e larta që nga fundi i vitit 2008. Në sondazhin e muajit dhjetor, norma pritej të arrinte 2.50% në fund të marsit dhe do të rritej deri në 2.75%.

Të pyetur se çfarë mendonin lidhur me rreziqet në parashikimet e tyre të normës së depozitave terminale, mbi dy të tretat e të anketuarve, 23 nga 33, thanë se kishte më shumë gjasa që norma të ishte edhe më e lartë nga sa prisnin aktualisht, por jo më e vogël.

“Rreziku është se ata në fakt do të jenë aq agresivë sa kanë pretenduar. Lagarde dhe të tjerët kanë thënë se kjo periudhë e rritjes së normave do të vazhdojë për një periudhë të gjatë, në çdo takim të vitit 2023,” tha Silke Tober nga Instituti i Politikave Makroekonomike.

“Është një rrezik shumë i qartë, por besoj se do të ishte një gabim”.

Norma e rifinancimit pritet të rritet me 50 pikë bazë për të shkuar në 3.00% javën e ardhshme dhe të arrijë pikun prej 3.50% në mars.

Rezerva Federale e SHBA, e cila filloi të rrisë normat disa muaj përpara BQE-së, parashikohet të përfundojë ciklin e saj shtrëngues pas një rritjeje prej 25 pikësh bazë në të dyja takimet e ardhshme të saj. Më pas, ajo pritet që t’i mbajë normat të pandryshuara të paktën për pjesën tjetër të vitit, sipas një sondazhi të fundit nga Reuters.