Çmime relativisht konstante në Tregun e Gjelbër në Prishtinë

Pak a shumë çmimet në Tregun e Gjelbër të Prishtinës vazhdojnë të mos lëvizin ndjeshëm, siç vazhdon të ndodhë me produktet elementare ushqimore, qoftë vendore, qoftë sosh nga importi, të tregtuara nëpër minimarketet, marketet dhe supermarketet e kryeqytetit, por edhe të mbarë vendit. Sot, por edhe në ditët dhe javët e fundit, në këtë treg kanë dominuar për nga sasia dhe çmimi i pranueshëm mollët, mandarinat, portokalli, limoni dhe pemë të tjera.

Buletini Ekonomik

Tregu kryesor i gjelbër në kryeqytet (te televizioni i Kosovës), që gjithmonë ka qenë më i frekuentuari nga prishtinasit, është i furnizuar goxha mirë me produkte dominuese bujqësore dhe me perime edhe në këto ditë të dimrit. Në shtandet e këtij tregu gjenden praktikisht të gjitha perimet dhe pemët e mundshme, qoftë vendore, por edhe shumë sosh të importuara.

Reklama e sponzorizuar

Nga frutat e importuara, në këto ditë dominojnë gjithsesi mandarinat, portokajt e limoni, por ka edhe disa lloje agrumesh, që konsumatorët kryeqytetas i përdorin dhe i blejnë më pak. Dhe, është e rëndësishme të potencohet se edhe çmimet e shumicës absolute të produkteve që gjenden në shtandet e këtij tregu, akoma edhe në këto ditë të janarit janë relativisht konstante, nuk kanë lëvizur shumë jo vetëm me muajt paraprak, por edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pak a shumë çmimet në Tregun e Gjelbër të Prishtinës vazhdojnë të mos lëvizin ndjeshëm, siç vazhdon të ndodhë me produktet elementare ushqimore, qoftë vendore, qoftë sosh nga importi, të treguara nëpër minimarketet, marketet dhe supermarketet e kryeqytetit, por edhe të mbarë vendit.

Sot, por edhe në ditët dhe javët e fundit, në këtë treg kanë dominuar për nga sasia dhe çmimi i pranueshëm mollët, mandarinat, portokalli, limoni dhe pemë të tjera. Ndërsa një kilogram mollë, thuaja e të gjitha llojeve, dhe e cilësisë së lartë dhe me pamje të imponueshme, në shumicën e shtandeve tregtohej me 50 centë. Të rrallë ishin tregtarët që këto molla i kanë tregtuar me 60 centë kilogrami. Duhet thënë se mollët në këtë treg thuaja qind për qind, janë prodhim i vendit. Këtë e pohojnë bindshëm dhe me mburrje edhe tregtarët.

Po kështu, edhe çmimi i mandarinave, kryesisht të importuara nga Shqipëria dhe më të kërkuarat në tregun tonë, nuk ka ndryshuar me javë të tëra dhe ato kushtojnë në të shumtën e shtandeve nga 65-70 centë kilogrami, ose siç e ofertonin tregtarët 3 kilogramë me çmim 2 euro. Po të njëjtën çmim, sot e kishte edhe portokalli shqiptar, ndërkohë që edhe mandarina e importuar nga Greqia dhe Turqia, edhe portokalli nga këto vende, kushtonin më shtrenjtë, përkatësisht 1 euro, madje edhe 1,20 euro kilogrami.

Limoni, një agrum që konsumohet shumë në këto ditë dimri në shtëpitë e kosovarëve, tash një kohë shitet nga 1 deri në 1,5 euro kilogrami, varësisht nga cilësia dhe freskia e tij. Por, dje dhe sot në tregun e Prishinës binte në sy limoni i cilësisë së lartë në shumicën e shtandeve.

Sallatat e gjelbra, që po kështu kishte me bollëk dhe në shumë shtande të tregut, kushtonin 1 copë 50 centë, ndërsa specat e freskët, të importuar nga Turqia, si ata djegës, si të ëmblit, tregtoheshin me 1,5 euro kilogrami. Qepët kushtonin 70 cent për kilogram, ndërsa fasulja nga 3,5 – 4, e deri në 5 euro kilogrami, varësisht nga cilësia, shteti prej nga është importuar dhe nga vjetërsia e tij.

Çmimi i fasules vendore gjithmonë në këtë treg është përcaktuar nga rajoni kosovar nga është prodhuar ai. Fasulja e Pejës, e disa fshatrave të Llapi dhe të disa vendeve me toka që ujiten më shumë, kushton më shtrenjtë, ose shitet përafërsisht sa fasulja cilësore e importuar. Në Tregun e Gjelbër të Prishtinës, tani, më saktësisht qëkur janë ndaluar ekspozimet e mallrave në rrugët përgjatë tregut dhe në hyrje të tij, është shumë më pastër, më këndshëm dhe vend më i pëlqyeshëm nga konsumatorët. Tani tregtohet vetëm brenda dyqaneve të hapura, por në asnjë mënyrë nuk lejohet të ekspozohen mallrat në rrugë dhe konsumatorët nuk e fshehin kënaqësinë për këtë ndryshim të mirë. /Buletini Ekonomik/