FMN thotë se fragmentimi mund t’i kushtojë ekonomisë globale deri në 7% të PBB-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se fragmentimi mund t’i kushtojë ekonomisë globale deri në 7% të PBB-së, sipas një raporti të ri.

Kostoja afatgjatë e fragmentimit të tregtisë varion nga 0.2% e prodhimit global në pothuajse 7%, që është afërsisht sa prodhimi vjetor i Gjermanisë dhe Japonisë të marra së bashku. Raporti përshkruan një sërë sfidash me të cilat përballen sot politikëbërësit. Studimi nuk thotë se sa kohë mund të kërkojë fragmentimi për të ndikuar te rritja ekonomike në këto përmasa.

Në varësi të përkufizimit të “fragmentimit”, disa parashikime nga FMN janë edhe më të zymta. Vlerësimet që përfshijnë shkëputjen teknologjike midis rajoneve sugjerojnë se vendet mund të humbasin deri në 12% të PBB-së.

Reklama e sponzorizuar

FMN rendit një sërë faktorësh që kontribuojnë në rritjen e fragmentimit global, duke përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe pandeminë Covid-19.

Të dyja situatat kanë shkaktuar ndërprerje ndërkombëtare të furnizimeve financiare, ushqimore dhe energjetike, me kufizime tregtare ekstra që shtojnë mosmarrëveshjet midis rajoneve.

“Rreziku është që ndërhyrjet e politikave të ndërmarra në emër të sigurisë ekonomike ose kombëtare mund të kenë pasoja të paqëllimshme, ose mund të përdoren qëllimisht për përfitime ekonomike në kurriz të të tjerëve”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu rendit si lloje të ndryshme të fragmentimit edhe kufizimet në migrimet ndërkufitare, flukset e reduktuara të kapitalit dhe rënien e bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Bota në zhvillim do të mbetej më mbrapa”

FMN nuk pret që të gjitha vendet t’i ndjejnë pasojat e fragmentimit në mënyrë të barabartë.

Konsumatorët me të ardhura më të ulëta në ekonomitë e përparuara nuk do të kenë më akses te mallra më të lira që importohen, sipas raportit, duke i bërë më vulnerabël ekonomitë e vogla dhe të hapura.

“Shumica e Azisë do të përballej me pasoja të rënda për shkak të varësisë së saj të madhe nga tregtia e hapur,” thotë raporti.

Ekonomitë në zhvillim gjithashtu nuk do të përfitojnë më nga teknologjitë më të fundit që vijnë nga ekonomitë më të përparuara, të cilat në të kaluarën kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e standardeve të jetesës.

“Në vend që të arrijë nivelet e të ardhurave të ekonomive të përparuara, bota në zhvillim do të mbetej më mbrapa,” thotë raporti.

FMN rekomandon tre qasje për të trajtuar fragmentimin: forcimin e sistemit të tregtisë ndërkombëtare, ndihmën e vendeve më vulnerabël në përballimin e borxhit dhe shtimin e masave për mbrojtjen klimatike.

Këto tema ka të ngjarë të trajtohen në diskutimet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, i cili këtë vit ka “bashkëpunimin në një botë të fragmentuar” si temën e tij kryesore. /CNBC/