Hoti kritikon sërish Qeverinë: Sasia e naftës së importuar është ulur, derisa të hyrat nga akciza dhe TVSH-ja u rritën me 88 për qind

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar sërish Qeverinë për politikat fiskale të saj në raport me produktet e naftës në vend.

Sipas tij, Qeveria ka rënduar buxhetin e qytetarëve duke rritur fitimet nga akciza e naftës në kohën kur sipas tij, është ulur sasia e importuar e naftës.

“Ja sa të mençura janë politikat fiskale të qeverisë në kulmin e krizës sociale nga rritja e çmimeve”, shkruan Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Ai duke iu referuar të dhënave të fundit nga hulumtimi i Institutit GAP, ka bërë një kalkulim të të hyrave buxhetore nga nafta për vitin 2022 në krahasim me sasinë dhe të hyrat nga karburantet gjatë vitit 2021, si më poshtë:

Gjatë vitit 2022, krahasuar me 2021:

-Sasia e importuar e naftës është ulur me -6.39%,

-Por të hyrat buxhetore nga akciza dhe TVSh-ja në naftë janë rritur me +88%, ose 283 mil euro më shumë (2021 = 321 mil euro, kurse 2022 = 604 mil euro)”.

Sipas tij, nëse Qeveria do t’i kishte marrë për bazë propozimet e tyre, këto 283 milionë euro do të ishin në buxhete familjare e jo në llogaritë bankare të qeverisë, që thotë se po ua zhvlerëson edhe ashtu inflacioni.

“Sikur të ulej TVSh-ja në 8% siç patëm propozuar, këto 283 mil euro do të ishin në buxhetin e familjeve, e jo në llogarinë bankare të qeverise ku po i zhvlerëson inflacioni. Këta as nuk i shpenzojnë vetë mjetet e mbledhura nga tatimet, e as nuk ua lënë qytetarëve t’i shpenzojnë aty ku kanë nevojë”, ka deklaruar tutje Hoti.