Jakurti: Nëse vlera e llogaritur e të gjitha pronave është rritur, të gjithë do të paguajnë tatim më shumë

Njohësi i ekonomisë, Edison Jakurti ka reaguar pas njoftimit të komunës së Prishtinës se Ministria e Financave ka bërë rivlerësimin e pronave, gjë që ka rezultuar me rritje të tatimit në pronë për gati 100 për qind.

Pas këtij lajmi, shumë qytetarë u shprehën të indinjuar duke kundërshtuar në çdo mënyrë një rritje kaq të lartë të tatimit në pronë. Për këtë rritje, përveç qytetarëve, kanë reaguar me kritika ndaj Qeverisë edhe shumë zyrtarë nga partitë opozitare, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Jakurtit, nëse vlera e llogaritur e të gjitha pronave është rritur, atëherë të gjithë do të paguajnë më shumë tatim, pavarësisht dallimit në vlerë të pronës së vet.

Reklama e sponzorizuar

Ai këtë e shpjegon edhe më në detaje për t’u kuptuar më mirë, duke thënë se “barra tatimore për qytetarët që kanë prona nuk është rritur shkaku se janë ndryshuar normat tatimore, por sepse është ndryshuar vlera e llogaritur e pronës”.

Sipas tij, nëse ligji aktual ua lejon komunave që ta caktojnë tatimin mbi pronën në intervalin nga 0.15% deri në 1%, dhe shumica po deklarohen që e kanë normën më të ulët, pra 0.15%, atëherë nuk mbetet hapësirë që mund ta përdorin komunat për ta ulur barrën tatimore.

Jakurti, këtë vendim e cilëson si jo të drejtë dhe shprehet se duhet të bëhet një përshkallëzim i tatimit mbi pronën, duke u bazuar në parimin: kush ka më shumë, paguan më shumë e kush ka më pak, paguan më pak.

“Prej një perspektive progresiste, kjo nuk është e drejtë. Duhet të bëhet një përshkallëzim i tatimit mbi pronën, në formë progresive, mbi parimin: kush ka më shumë (në numër e në vlerë) paguan më shumë, kush ka më pak paguan më pak”, thotë Jakurti në një status të tijin në facebook.

Ndryshe, tatimi në pronë është një taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore. Normat tatimore vendosen nga komunat përkatëse, ndërsa vlerësimi i pronës bëhet nga Ministria e Financave. Sipas komunave, kjo normë e tatimit është e përcaktuar në një vlerë prej 0.15 për qind të vlerës së përgjithshme të pronës. /Buletini Ekonomik/