Me popullsinë e re që dinë shumë gjuhë e me njohuri teknologjike, Osmani: Kosova po bëhet një qendër teknologjike në rritje

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe një ekip nga Kosova po marrin pjesë në konferencën më të madhe të teknologjisë në botë Web Summit që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

E para e shtetit para një audience në Lisbonë ritheksoi se sektori i lulëzuar i TIK-ut është një dëshmi e potencialit të Kosovës si destinacion kryesor për investime dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Reklama e sponzorizuar

“Me popullsinë më të re të Evropës, me njohuri teknologjike, shumëgjuhëshe dhe me kostot më konkurruese të punës, Kosova po bëhet një qendër teknologjike në rritje.

Sektori ynë i lulëzuar i TIK-ut është një dëshmi e potencialit të Kosovës si destinacion kryesor për investime dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, thekson Osmani.

Ajo po ashtu thotë se sektori gjithnjë e në rritje i teknologjisë në Kosovë, i udhëhequr nga energjia e jashtëzakonshme e rinisë sonë, e pozicionon vendin tonë si një shembull inspirues në sektorin e teknologjisë informative.

“Mirëpo, teknologjia duhet të jetë gjithnjë në shërbim të njerëzimit dhe jo ta mbizotërojë atë. Duhet të jemi gjithnjë e më të angazhuar për të garantuar gjithëpërfshirjen, diversitetin dhe etikën në çdo hap të këtij rrugëtimi transformativ”, ishte shprehur ajo. /Telegrafi/