Komuna e Ferizajt është ankuar për numër të vogël të zjarrfikësve. Nga kjo komunë kanë thënë se disa prej tyre së fundmi e kanë lënë punën, derisa ekzekutivi nuk ua ka lejuar hapjen e konkursin për pranimin e zjarrfikësve të rinj. Sipas komandantit të Zjarrfikësve në Ferizaj, punëtorët po e lënë punën për shkak të kushteve jo të mirë e pagës së ultë, shkruan Kanal10.
Me numër janë të paktë, por bëjnë shumë punë.
Në Ferizaj, kanë mbetur vetëm 24 zjarrfikës, që duhet t’iu bëjnë ballë çdo thirrjeje emergjente.
Kështu, numri i tyre vazhdimisht po bie, pasi që ata janë duke e lënë punën për të shkuar jashtë vendit, apo për të punuar në angazhime tjera që paguhen më mirë.
Së fundmi edhe dy zjarrfikës në këtë komunë që kanë shërbyer me dhjetëra vjet, kanë shkëputur kontratat e rregullta.
Një vendim të tillë sipas komandantit, Zimri Krasniqi, e kanë marrë për shkak të kushteve dhe pagës së ulët.
Zjarrfikësi Ylber Sadiku thotë se ata duhet të përballen me kushte jo të mira të punës dhe se paga që marrin nuk ua mbulon as kushtet elementare të jetesës.
Nga komuna e Ferizajt kanë thënë se për shkak të gjendjes, kanë angazhuar rreth 35 zjarrfikës nga Shoqata e Vullnetarëve të Zjarrfikësve, derisa janë ankuar që qeveria nuk po lejon hapjen e konkurseve të reja për plotësimin e numrit.
Braktisja e vendit të punës tashmë është bërë shqetësim i madh të Kosovë.
Ngjashëm ka ndodhur edhe në Polici e në FSK, ku gjatë vitit të kaluar rreth 70 pjesëtarë e kanë lënë punën në këto institucione.