Sipas listës së miliarderëve nga Forbes pesë njerëzit më të pasur në botë janë Bernard Arnault, Elon Musk, Gautam Adani, Jeff Bezos dhe Warren Buffett.
Bernard Arnault, kreu i gjigantit francez të mallrave luksoze LVMH është tani njeriu më i pasur në botë pasi rrëzoi Elon Muskun nga ky titull, transmeton Telegrafi.
“LVMH Moët Hennessy Louis Vuitton”, e njohur zakonisht si LVMH, është një korporatë franceze e specializuar në mallra luksoze, me seli në Paris. Filialet e saj janë Louis Vuitton, Dior, Sephora, Tiffany & Co, Fendi dhe shumë të tjera.
Arnault i cili është 71-vjeçar, ka një pasuri prej 206.4 miliardë dollarë, transmeton Telegrafi.
Në vendin e dytë, në listën e njerëzve më të pasur është Elon Musk, pasuria e të cilit vlerësohet të jetë 146.8 miliardë dollarë.
Musk është CEO i kompanive sikurse Tesla, SpaceX dhe Twitter.
Në listën e top-pesëshes gjendet edhe Gautam Adani i cili gjendet në vendin e tretë me një pasuri prej 128 miliardë dollarë.
Adani është një industrialist i cili është kryetar dhe themelues i Adani Group, një konglomerat shumëkombësh i përfshirë në zhvillimin dhe operacionet e porteve në Indi.
Jeff Bezos me një pasuri prej 118.5 miliardë dollarë renditet në vendin e katërt në listën e Forbes. Bezos është një sipërmarrës amerikan, pronar i mediave e investitor. Ai është themeluesi, kryetari ekzekutiv dhe ish-presidenti dhe CEO i Amazon.
Ndërkaq, në vendin e pestë është Warren Buffet me një pasuri prej 110.8 miliardë dollarësh. Buffett është një manjat biznesi, investitor dhe filantropist amerikan. Ai është aktualisht kryetar dhe CEO i Berkshire Hathaway.