Pas falimentimit të dy bankave, FED rrit normën bazë të interesit

Banka Qendrore Amerikane rriti përsëri normën bazë të interesit për dollarin, pavarësisht frikës se kjo lëvizje mund të rrisë edhe më tej pasiguritë financiare, pas falimentit të disa bankave.

Rezerva Federale e rriti normën e saj me bazë me 0.25% duke theksuar se sistemi bankar është i shëndetshëm. Sipas Bankës, ky veprim i saj është më i përshtatshmi për momentin, pasi çmimet e konsumit vazhdojnë rriten.

FED ka rritur kostot e huamarrjes në përpjekje për të ngadalësuar ekonominë dhe për të lehtësuar presionet që rrisin çmimet. Rritja e mprehtë e normave ka sjellë tendosje në sistemin bankar.

Reklama e sponzorizuar

Lajmi vjen pak ditë pas falimentimit të dy bankave amerikane, Silicon Valley Bank dhe Signature Bank, këtë muaj, pjesërisht për shkak të problemeve të shkaktuara nga normat e larta të interesit.

Megjithatë, pavarësisht humbjeve, autoritetet anembanë botës nuk mendojnë se dështimet kërcënojnë stabilitetin financiar të përhapur, duke vlerësuar se nuk duhet të shpërqendrohen nga përpjekjet për të vënë nën kontroll inflacionin.

Javën e kaluar, edhe Banka Qendrore Evropiane rriti me 0.5 për qind normën bazë të interesit. Banka e Anglisë do të marrë vendimin e saj për normën e interesit të enjten, një ditë pasi shifrat zyrtare treguan se inflacioni u rrit papritur në shkurt në 10.4 për qind.

Sipas parashikimeve të Bankës Qendrore, ekonomia pritet të rritet këtë vit me vetëm 0.4% dhe me 1.2% vitin e ardhshëm, më pak nga parashikimi i dhjetorit të shkuar. /A2CNN/