Rritje dyshifrore e inflacionit që varfëroi shportën e konsumatorit dhe ngadalësoi aktivitetin ekonomik. Ky trend karakterizoi Kosovën pothuajse gjatë gjithë vitit 2022, por që pritet të stabilizohet apo të bjerë në vitin 2023, sipas institucioneve financiare.
Disa qytetarë të anketuar thonë se situata e krijuar me rritjen e çmimeve i detyroi ata të heqin dorë nga disa produkte ose t’i sigurojnë me vështirësi.
“Mishi është harruar, krejt rrallë e hiç”, thotë Feride Vokrri.
Rritje çmimesh – në disa raste mbi 100 për qind – kanë pësuar shumica e produkteve dhe shërbimeve – nga mishi, mielli, vaji deri te materialet ndërtimore, rryma, nafta.
“Një litër vaj ulliri është 8 euro, për të tjerat nuk e di çfarë të them. Të gjitha shtrenjtë, të gjitha”, shprehet Mihrije Osmani.
Për Namik Canhasin, rritja e çmimeve është po ashtu “jo-normale”.
Patriot Maqastena, i cili punon si tregtar në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, thotë se shitjet kanë rënë.
“Blerës ka më pak, disa çmime janë rritur pak më shumë, disa artikuj, jo të gjithë”, thekson Maqastena.
Si gjetkë në botë, rritja e çmimeve ka nisur nga fundi i vitit 2021, si pasojë e çrregullimeve në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia COVID-19. Çmimet kanë marrë hov më të madh kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit 2022.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se vendi do ta përmbyllë vitin me normë mesatare të inflacionit 12 për qind. Paga mesatare e punonjësve, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ishte rreth 480 euro.
Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, publikoi në muajin nëntor një raport për ndikimin e inflacionit në ekonomitë familjare.
Në përpjekje për të zbutur ndikimin e inflacionit, Qeveria e Kosovës miratoi në muajin shtator 2022 një pako në vlerë prej 150 milionë eurosh. Prej saj përfituan një numër qytetarësh, kryesisht familje me asistencë sociale dhe pensionistë.
Zyrtarë të Ministrisë së Financave të Kosovës nuk iu përgjigjën kërkesës së Radio Evropës së Lirë për të biseduar për këtë çështje.
Sipas GAP-it, autoritetet është dashur të marrin masa që do të mbështesnin edhe rritjen e prodhimit të brendshëm, meqë inflacioni në Kosovë është në masë të madhe i importuar. Kosova importon shumicën e produkteve nga shtetet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës thonë, po ashtu, se masat e ndërmarra nga autoritetet nuk ishin të mjaftueshme. Lulzim Rafuna, kryetar i kësaj ode, thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar sipas ligjeve në fuqi, përkatësisht nuk i ka rritur pagat në sektorin publik në përputhje me rritjen ekonomike.
Në sektorin publik në Kosovë janë të punësuar mbi 80 mijë persona, me pagë mesatare bruto rreth 620 euro.
Vlerësimet e Bankës Qendrore të Kosovës për rritjen ekonomike në vitin 2022 janë më negative. Nga 10 për qind sa ka qenë vitin e kaluar, këtë vit nuk pritet të kalojë 4 për qind.
Bledi Hasaj nga Instituti GAP thotë se inflacioni ndikon në aktivitetin ekonomik, sidomos në një vend si Kosova që nuk ka kapacitete të mëdha prodhuese.
Për vitin 2023, Banka Qendrore e Kosovës parasheh rënie të inflacionit.
“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023 të kemi ulje të inflacionit deri në 6 për qind dhe kjo në masë të madhe do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pastaj do të ndikojë në rritjen e konsumit si komponent kryesor të rritjes ekonomike në vend”, thotë guvernatori i këtij institucioni, Fehmi Mehmeti.
Edhe ekonomistët e huaj, që i citojnë disa media ndërkombëtare, presin që inflacioni të bjerë në vitin 2023.
Një arsye për këtë optimizëm është stabilizimi i zinxhirit të furnizimeve, ndonëse është vështirë të parashikohet me siguri se çfarë do të ndodhë në skenën gjeopolitike. /REL/