Pozita fton deputetët që të mos e votojnë tërheqjen e kursimeve nga Trusti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka theksuar se propozimi për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti) e nxit rritjen e çmimeve.

Muja gjatë seancës parlamentare që po diskutohet për këtë nismë, ka ftuar deputetët që të mos miratohet ky Projektligj.

“Ky është propozimi i dytë më radhë pas një periudhë të shkurtër. Tashmë në vitin 2022 kemi dy propozime radhazi. Ky Kuvend e ka dhënë verdiktin gjatë vitit 2022 dhe nuk ka justifikime shtesë. BQK-ja ka thënë se ky Projektligj nuk e lufton inflacionin, përkundrazi guvernatori ka thënë se e nxit inflacionin. FMN-ja dhe Banka Botërore janë kundër me arsyetimin e pengon seriozisht zhvillimin e tregjeve kapitale. Ky propozim nuk e lufton inflacionin. Rekomandojmë te deputetët që ta mos miratojnë”, tha Muja.

Reklama e sponzorizuar

Sipas deputetit të Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu qytetarët po marrin kredi që ta përballojnë rritjen e çmimeve.

“Para se ta ngritni dorën pro ose kundër këtij Projektligji, duhet të ktheheni mbrapa të rikujtoni se pse qytetarët po kërkojnë mbështetje nga deputetët për Trustin. Shporta e qytetarëve është shtrenjtuar shumë. Këto rritje e çmimeve e kanë rënduar jetën e qytetarëve, ku janë detyruar që të hyjnë në borxhe”, tha Haxhiu.

“Nga 4.2 miliardë euro depozita, ku për vitin 2022 janë lëshuar 1.5 miliard euro kredi të reja, që qytetarët kanë hyrë në kredi për të blerë dru e produkte të tjera. Kërkesa e qytetarëve është që t’iu mundësohet tërheqja e kursimeve që ta përballojnë këtë krizë ekonomike. Tani është në dorën tuaj që t’i dëgjoni kërkesat e popullit apo ato politike”, shtoi ai.

Ndërsa, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti theksoi se 2022-ta ka qenë viti më i rëndë ekonomik që nga paslufta.

“Viti 2022 ka qenë viti më i rëndë ekonomik që nga paslufta. Kriza energjetike krijoj shtrenjtim të lëndëve djegëse, po ashtu çmimi i naftës krijoj rritje të çmimeve. Në vend që të ulej TVSH-ja, këta kanë dal për të trumbetuar për rritje të të hyrave, këto kanë ndodhur me rritjen e çmimeve. Me gjithë këto kriza, kur mungon përkrahja e Qeverisë, atëherë kjo është zgjidhja e vetme karshi qytetarëve. Ftojmë të gjithë deputetët që ta mbështesin këtë nismë”, theksoi Hoti.

Për shefin e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri mjetet në Trust janë të qytetarëve.

“Sot jemi para një situate, ku mijëra qytetarë kanë sjell propozimin që të trajtohet seriozisht nga deputetët. Mjetet e grumbulluara në Trust janë të qytetarëve dhe punëtorëve si në sektorin privat e publik”, ka përfunduar Tahiri. /Telegrafi/