Në tregjet e gjelbëra të Prishtinës, mollët dhe portokalli e dominojnë mandarinën

Dje dhe sot në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit ka dominuar çmimi 50 deri në 60 centë për kilogram të mollëve. Portokalli, ai i importuar nga Shqipëria, dhe që është më shumë prezentë në shtandet e këtij tregu, shitej 70 dhe 80 centë kilogrami.

Buletini Ekonomik

Këto ditë, deri në dhjetëditëshin e fundit të janarit, në tregjet e gjelbëra të Prishtinës ka ndryshuar raporti i dominimit të frutave. Më nuk është dominuese mandarina, e cila për shkak të sasisë së plasuar edhe në tregjet tona, të cilësisë dhe të çmimit të pranueshëm është bërë thuaja ndër frutat më popullore. Muajt e fundvitit dhe ndoshta edhe ditët e para të janarit, tashmë edhe në Kosovë janë bërë sezoni i mandarinës, që kohët e fundit importohet thuaja se e tëra nga Shqipëria.
Tani mandarina, që ka dominuar rreth 2 muaj tregjet tona, shitblerjen e saj në tregjet e gjelbëra të kryeqytetit, por edhe të qendrave të tjera të Kosovës, dominohet në radhë të parë nga mollët dhe portokalli.

Mollët e ndryshme të ekspozuara në tregjet tona janë kryesisht të prodhuesve vendorë, kanë asortiment të lloj-llojshëm dhe janë cilësore, ndërsa tregtohen me çmime të pranueshme. Dje dhe sot në tregun kryesor të gjelbër të kryeqytetit ka dominuar çmimi 50 deri në 60 centë për kilogram të mollëve.

Reklama e sponzorizuar

Edhe çmimi i portokallit, një prej frutave dominuese në shtandet e tregit të gjelbër, duket të jetë i pranueshëm për konsumatorët. Portokalli, ai i importuar nga Shqipëria, dhe që është më shumë prezentë në shtandet e këtij tregu, shitej 70 dhe 80 centë kilogrami, ndërsa portokajtë e importuar, siç thonë tregtarët, nga Greqia dhe nga Turqia, tregtoheshin me çmimin 1 euro kilogrami.

Sipas tregtarëve, tashmë shitja e mandarinave ka rënë ndjeshëm, për shkak se thuaja se ka kaluar sezoni i tyre. Çmimi i këtij fruti vazhdon të jetë ai i mëhershmi, 70-80 centë kilogrami, por tani cilësia e tyre nuk është as për së afërmi ajo që ky frut e kishte në muajt e fundit të vitit që shkoi. Sipas konsumatorëve, cilësia e mandarinës tani shihet edhe nga pamja e tyre.

Në sasi të imponueshme në shtandet e tregjeve të kryeqytetit, dje dhe sot ishte i ofertuar edhe fruti i limonit, i importuar kryesisht nga Turqia. Çmimi dominues i limonit në këto tregje ishte 1 euro për një kilogram, por aty-këtu ky çmim ishte edhe 1,5 euro për kilogram. Duhet thënë se në shumicën e shtandeve binte në sy cilësia e lartë e këtij fruti.

Ndërkohë, çmimet e produkteve të tjera bujqësore, pak a shumë ishin ato të një jave më parë dhe nuk vërehej ndonjë ndryshim për ta theksuar. Kështu, sallatat e gjelbëra, që po kështu kishte me bollëk dhe në shumë shtande të tregut, kushtonin 1 copë 50 centë, ndërsa specat e freskët, të importuar nga Turqia dhe nga Greqia, tregtoheshin sot nga 2 dhe 2,5 euro kilogrami. Qepët kushtonin 70 centë për kilogram, ndërsa fasulja nga 3, 4 deri në 5 euro kilogrami, varësisht nga cilësia, shteti prej nga është importuar dhe vjetërsia e tij. /Buletini Ekonomik/