Rritja e kostove të punës, pasurive të paluajtshme dhe energjisë, e radhit Rumaninë në vend të tetë në listën e vendeve më tërheqëse të prodhimit në Europë, pas shteteve si Republika Çeke, Polonia, Hungaria apo Portugalia, duke u renditur gjithashtu në vendin e 22-të globalisht, sipas studimit të Indeksit të Riskut të Prodhimit 2022, nga firma e konsulencës për pasuri të paluajtshme Cushman & Wakefield.
Studimi analizoi 45 shtete në Europë, Lindje të Mesme, Afrikë, Amerikë dhe Azi-Paqësor, duke përdorur 12 kritere që marrin parasysh kushtet e tregut, kostot dhe rreziqet.
Rumania doli shumë konkurruese për sa u përket kostove dhe kushteve të tregut. Tregjet industriale më tërheqëse në botë janë Kina, Shtetet e Bashkuara, Tajvani, India dhe Kanadaja.
“Edhe pse viti 2022 ka qenë sfidues, me inflacion, rritje të çmimeve të energjisë, krizë ekonomike dhe një konflikt në rajon, ne jemi dëshmitarë të një interesi të shtuar nga investitorët e huaj në prodhim.
Presionet në zinxhirin e furnizimit dhe zhvendosja e njësive të prodhimit nga Ukraina dhe Rusia, kanë sjellë projekte interesante në rajonin tonë”, tha Andrei Brînzea, një partner në Cushman & Wakefield Echinox.
Raporti argumenton se rritja e kostove të energjisë dhe punës, pati ndikim të rëndësishëm në sistemet operative në Europën Qendrore dhe Juglindore, veçanërisht në Lituani, Rumani, Bullgari dhe Republikën Çeke, ndryshe nga Polonia, ku efektet ishin më të kufizuara.
Nën trysninë e lartë në lidhje me çmimet e energjisë dhe përballjes me sfidat e sigurimit të karburantit, vendet në rajon mund të përfitojnë nëse largohen nga lëndët djegëse fosile, drejt burimeve të qëndrueshme të energjisë, si burimet e ripërtëritshme dhe energjia bërthamore.