Rusinovci: Monitorimet e subvencioneve në bujqësi të jenë shumë më strikte

Sektori i bujqësisë

Përkundër aprovimit të Programi për Pagesa Direkte-Subvencione, ende nuk dihet se kur do të hapet thirrja për aplikim. Nga Ministria e Bujqësisë nuk kanë treguar se kur pritet të fillojë koha e aplikimit. Fermerë e ekspertë të bujqësisë thonë se përkrahja me subvencione është e kënaqshme e kjo po ndikon që toka të mos mbetet djerrinë, kur çmimet e produkteve bujqësore janë shumë të larta.

Ministria e Bujqësisë pritet të ndajë rreth 65.5 milionë euro grante e subvencione për bujqit gjatë këtij viti.

Më 6 janar është aprovuar Programi për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2023, i cili mes tjerash parasheh përkrahjen në vlerë 329 euro për hektarët e mbjellë me misër, 654 për atë me patate dhe 474 euro për hektarët me grurë.

Reklama e sponzorizuar

Valon Vehapi, fermer nga Komuna e Lipjanit, këtë vit ka rreth 100 hektarë me grurë.

Ai thotë për Radio Kosovën se përkrahja e bujqve nga ministria është e kënaqshme dhe po ndikon që toka të mos mbetet djerrinë, në kohën kur çmimi i farërave e plehut është rritur shumë.

“Përkrahja është e mirë, por ka edhe shtrenjtim. Dikur i kemi pasur subvencionet 300 euro, por, nëse e kthejmë që me ato para sa produkte bujqësore mund t’i blinim, na del se kemi blerë më shumë me 300 euro se me 475 euro, për arsye se 1 kilogram pleh ka qenë 30 centë e tash është 1 euro. Subvencionet janë rritur por duhet të rriten hala. Po thonë se përkrahja këtë vit është 475 euro për hektar, plus 4 centë për kilogram. Përkundër shtrenjtimit, kjo është për t’u pritur mirë prej fermerëve”, tha ai.

Vehapi, i cili prej vitesh punën rreth 150 hektarë me tokë, në pranverë planifikon të mbjellë edhe rreth 50 hektarë me misër. Kjo kulturë, nga Ministria e Bujqësisë do të përkrahet me 329 euro për hektar. Përkrahje do të ketë edhe për fermerët që merren me kultura të tjera bujqësore.

Profesori universitar i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se ngritja e buxhetit që do të ndahet për bujqit është për t’u përshëndetur, në kohën kur çmimet e produkteve bujqësore janë mjaft të shtrenjta.

“Ngritja e buxhetit për grante e subvencione është për t’u përshëndetur, sepse të njëjtën gjë e bëjnë edhe Politikat e Përbashkëta Evropiane ose të ashtuquajturat KAP. Por, mbetet detyrë imediate e dikasterit përkatës që monitorimet të jenë shumë më strikte, përkatësisht prioritetet të shkoqiten konform meritokracisë për fermerin. Pra, të subvencionohen gjithmonë ngastra që punohet dhe fermeri që punon”, tha ai.

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Bujqësisë për vlerën e mjeteve që do të ndahen si subvencione dhe kohën kur do të shpallet thirrja për aplikim. Por, ministria nuk kanë kthyer përgjigje. /RadioKosova/