Deputetët kanë shkuar në pauzë, pas një diskutimi mbi temën e famshme të tërheqjes së mjeteve nga Trusti dhe pas kthimit të tyre, pritet që projektligji të dalë në votim. Por, sa vota duhen që të miratohet ky projektligj dhe a do t’ia dalë opozita kësaj radhe?
Fillimisht kërkesë e një grupi qytetarësh, e më pas e mbështetur nga opozita, cështja e lejimit të tërheqjes së një pjese të kursimeve nga Trusti ka arritur nuk Kuvend.
Ky është tentimi i dytë për të kaluar projektligji i hartuar që u lejon qytetarëve të marrin një përqindje të kursimeve të tyre, si ndihmë në periudhën postpandemike dhe pas rritjes së inflacionit.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, që prej kohësh ka marrë përsipër ta çojë agjendën e tërheqjes së kursimeve përpara, këto ditë ka shpjeguar se si mund të kalojë ky projektligj.
“61 deputetë duhet të jenë prezentë, të marrin pjesë në votim, e pastaj shumica e thjeshtë e deputetëve të pranishëm, diku 31, duhen që me kalu Projektligji”, ka thënë Haxhiu.
Edhe vëzhgues të punës së Kuvendit kanë dhënë disa herë sqarime për më shumë se një vit prej kur kjo temë diskutohet, se nevojiten së paku 61 deputetë prezentë dhe projektligji mund të kalojë me shumicën prezente.
Në Kuvend sot është diskutuar rreth këtij projektligji. Armend Muja, në emër të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur edhe njëherë qëndrimin kundër këtij projektligji, duke bërë thirrje që të mos votohet.
Deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani ka deklaruar se qëndrimi i partisë, i dhënë nga Muja, nuk e paraqet edhe qëndrimin e tij si deputet.
“Distancohem nga fjalimi i Mujës ku në emër të GP paraqiti ato qëndrime. Ajo pse detyrohem të flas është për shkak të një opinioni që është krijuar rreth kësaj teme ku edhe qytetarët kanë interes për të biseduar. Si deputet kam votuar kundër, mendoj që ka qenë diskriminuese sepse sot për ato mjete që janë tërhequr atë vit paguajnë ata që nuk kanë përfituar atëherë. Ka qenë masë diskriminuese por që është kundërshtuar dhe si deputet nuk kam pranuar t’i tërheqë ato mjete as atëherë. Sot mendoj që kjo iniciativë është më ndryshe por prapë nuk është e duhura dhe mund ta gjejmë një zgjidhje që nuk dëmtohet as kontributdhënësi dhe largohemi pas nga akuzat që po i bëjmë njëri-tjetrit”, ka thënë Rrahmani.
Partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK e përkrahin këtë ligj dhe kanë kërkuar edhe më herët nga deputetet e pushtetit “t’i dëgjojnë qytetarët” dhe të votojnë pro.
Nuk ka ndonjë matje që tregon se qytetarët janë pro apo kundër kësaj cështje, por pozitë dhe opozitë kanë mbrojtur qëndrimet e tyre, duke u thirrur në atë se cfarë është më e mira në këtë situatë ekonomike.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, që është ekonomist me profesion, ka thënë se tërheqja e kursimeve nga Trusti nuk është zgjidhja e duhur, por është zgjidhja e vetme që ka mbetur, pas mosveprimit të kësaj Qeverie.
Ministri i Financave Hekuran Murati, në Kuvendin e Kosovës ka thënë se me Projektligjin që mundëson tërheqjen e 30% të mjeteve të Trustit opozita po synon që të shkatërrojë sistemin pensional.
“Po thuhet është nismë e qytetarëve, qytetarët e kanë votuar edhe Qeverinë tonë me 50.2% por çka po synohet këtu me këtë nismë është shkatërrimin e sistemit pensional, sepse kjo tanimë është thënë nga deputetë të opozitës, synimi është që të merren këto 30%, pastaj edhe 30% të tjera dhe të shkatërrohet sistemi e të kalojmë në sistemin ku gjenerata kontribuon për gjeneratë”.
Pra gjenerata aktuale që kanë kontribuar duhet të vazhdojnë të kontribuojnë edhe për gjeneratat e tjera të paguajnë dyfish, për shkak se dikujt iu ka tekë me e shkatërruar sistemin. Ne e kemi pasur një sistem pensional të cilin na e ka shkatërruar Serbia dhe i ka marr fondet, tash edhe opozita po do ta shkatërrojë këtë sistem që mesi e kemi ndërtuar, ky është synimi”, është shprehur Murati.