AUV konfiskon rreth 1,700 kilogramë produkte të mishit në Ferizaj

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njofton se ka organizuar një aksion për kontrollin e të gjitha mishtoreve në Komunën e Ferizajt, ku sipas zëdhënësit të AUV-it, Lamir Thaçi vlera e konfiskuar e këtyre produkteve është rreth 1,700 kilogramë.

“Sasia totale e produkte të ndaluara është 1,670 kilogramë produkte të mishit si mish i freskët, mish në faza të përpunimit, mish i bluar, suxhuk, qofte, e të tjera. Aksioni u realizua përmes trupave inspektuese nga regjionet e tjera”, ka treguar Thaçi për Telegrafin.

Sipas tij, kushtet teknike sanitare higjienike të mishtoreve në nivel të përgjithshëm ishin të mira por se janë hasur parregullsi gjatë këtij aksioni.

Reklama e sponzorizuar

“Problemet me të theksuara ishin mungesa e dokumentacionit për origjinën e mishit dhe certifikatën e therjes. Në mish të pa damkosur (vulosur), dhe sasitë tjera të nënprodukteve të mishit të ndaluara në mishtore, kryesisht ishte për mungesë të licencës për përpunim të produkteve të cilat po ashtu i nënshtrohen procesit të trajtimit termik. Në disa raste janë dhënë vërejtje për përmirësim brenda afateve kohore”, ka theksuar ai.