Azemi: Punëtorët e sektorit privat të zhgënjyer nga Qeveria

Jusuf Azemi-Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK), ka kërkuar që punëtorët e sektorit privat të cilët kryejnë shërbime në institucione shtetërore të paguhen sipas Ligjit të Pagave dhe nga marsi pagën ta kenë mesatarisht 400 euro. 

Kryetari i kësaj SPSPK-së, Jusuf Azemi ka thënë se punëtorët e sektorit privat janë shumë të zhgënjyer nga vendimet e Qeverisë së Kosovës për pagat.

Azemi përmes një konference për media ka thënë se zyrën e kryeministrit të vendit Albin Kurti dhe të ministrit të Financave, Hekuran Murati e mirëmbajnë punëtorët e sektorit privat të cilët paguhen vetëm 180 euro.

Reklama e sponzorizuar

Kjo sipas tij është shumë shqetësuese, se si qeveria nuk merr masa për këtë çështje.

“Edhe sot derisa po bisedojmë, na vjen keq që duhet t’i përsërisim të dhënat e punëtorëve privat, por edhe punëtorët që mirëmbajnë zyrën e kryeministrit Kurti paguhen me 180 euro. Kjo është një çështje shumë shqetësuese për ne, por më e rëndë është barra e punëtoreve që duhet të vijnë çdo ditë në orar e kohë të caktuar dhe në fund muajit, dihet se ç ‘mund të bëjmë me një pagë prej 180 euro. Me qenë diku në periferi të Kosovës kishim thënë se institucionet tona nuk po dinë se çka është duke ndodhur, por të ndodh kjo pikërisht në zyrën e kryeministrit dhe ministrit të Financave, të cilët janë të thirrur që punëtorëve të sektorit privat t’ua rregullojnë çështjen materiale…”, theksoi ai.

“Këto paga të ulëta i kemi sihariq vetëm nga Qeveria e Kosovës, përderisa nga kompanitë private kemi një lëvizje simbolike, por asnjëherë të kënaqur. Por në rend të parë që Qeveria e Kosovës të stimulojë ata punëtorë që kryejnë shërbime nëpër institucione shtetërore dhe tu japin impuls kompanive private që të rriten këto paga, këtu tek ne po ndodh e kundërta”, u shpreh ai.

Ai tutje tha se punëtorët e sektorit publik janë më të favorizuar se sa ata të sektorit privat.

Azemi ka folur edhe për çështje tjera që prekin sektorin privat.